“Shqipëria, e vendosur në rrugëtimin drejt BE-së”/ Begaj takim me Von Der Leyen, kërkon ndëshkimin e sulmit serb në Kosovë

15/10/2023 16:50

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Përshpejtimi i proçesit të integrimit në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal në optikën e Procesit të Berlinit ishin temat kryesore që u elaboruan në takimin Begaj – Von Der Leyen.

“Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian,”- nënvizoi Presidenti Begaj në këtë takim.

Duke u ndalur në situatën kritike të sigurisë që po kalon Evropa dhe Ballkani Perëndimor, Presidenti Begaj e siguroi zonjën Von Der Leyen se “Shqipëria vazhdon të mbështesë e të jetë e linjëzuar me politikat  e jashtme  dhe ato të sigurisë së BE-së.”

Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim për të përshendetur qëndrimet e Bashkimit Evropian për stabilizimin e paqes në rajon duke kërkuar që të ndëshkohet sulmi terrorist serb i 24 shtatorit ndaj një vendi sovran siç është Kosova dhe destabilizim të të gjithë rajonit.

Duke e cilësuar si ngjarje historike mbajtjen e Samitit të liderve të Procesit të Berlinit për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor të martën në Tiranë, Presidenti Begaj u shpreh se është besimplotë se ky samit do të nxisë marrëdhënie më të mira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se do të ndërtojë shinat e duhura për krijimin e një tregu ekonomik të zonës, shina që do zgjaten më pas drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA