Edhe në ditët e para të tetorit, interesi i turistëve për të vizituar vendin tonë vijon, ndaj edhe në Tiranë në pikat kryesore hasesh me turistë nga e gjithë bota.
Ndryshe nga vera ku mbizotëronin turistët që vinin individualisht, tashmë sheh me tepër grupe të organizuara që zgjedhin të qëndrojnë deri në dy javë për të parë sa më shumë nga vendi ynë.
“Është hera e dytë që vijmë. Para 10 vitesh që ishim këtu nuk arritëm te shihnim shumë nga Shqipëria kështu që vendosëm që të kthehemi dhe të vizitojmë të gjithë vendin. Jemi nga Polonia, kemi dy javë e gjysëm këtu”, tha një turiste.
“Jemi nga Izraeli, vijmë për herë të parë në Shqipëri. E nisëm nga veriu i Shqipërisë deri në jug. Si fillim njerëzit janë të mrekullueshëm, vend i pastër, jam surprizuar për mirë”, shprehet një turist.
Temperaturat e larta i kanë favorizuar edhe më shumë pushimet e turistëve, të cilët duket se po e shijojnë kohën që po kalojnë në Shqipëri.
“Jemi nga Polonia, kemi vizituar Shkodrën, Ksamilin, Himarën, Beratin, Gjirokastrën. Do të qëndrojmë dy javë. Ishim edhe në Theth. Një vend shumë i bukur, na pëlqen shumë natyra, historia, arkitektura. Edhe ushqimi shumë i shijshëm. Donim që ta vizitonim si vend dhe këtë e vendosëm që një vit më pare”, tregon një turist.
“Do të qëndrojmë 10 ditë. Deri tani po na pëlqen shumë, njerëzit janë miqësor, vendi është i pastër, çmimet nuk janë shumë të shtrenjta, dhe koha këtu është shumë e mirë. Nuk e dija më parë që Shqipëria ishte një vend kaq i bukur, morëm një vendim shumë të mirë për të ardhur këtu”, thotë një tjetër.
Deri në fillim të muajit tetor numri i turistëve ka arritur në 8.3 milionë ndërsa pritet që deri në fund të viti kjo shifër të shkojë në 10 milionë.
“Mua më pëlqeu shumë, me siguri që do te kthehem sërish, është një vend shumë i bukur”, tha një turiste.
Top Channel