Top Channel ndodhet ende në zjarrin e luftës mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
Artur Bibe ndodhet në kufi me Gazën, aty ku situata është tepër e tensionuar dhe pritet të ketë një sulm tokësor nga ushtria izraelite.
Në zonën ku ndodhet gazetari i TCH ka pasur një shkëmbim zjarri, ku dyshohet se disa palestinezë i janë afruar territorit izraelit.
“Sapo dëgjuam një shkëmbim me armë të rënda, që qëllojnë mbi pozicionet e Hamasit. Ka një tension në përgjithësi. Helikopterët e ushtrisë janë mbi kokën tonë”, shpjegon gazetari.
“Ndodhemi në autostradën 232 që lidh Gazën me territoret izraelite. Janë disa ushtarë në një llogore të krijuar enkas. Ka pasur një shkëmbim zjarri pak sekonda më parë në drejtimin e një sere. Pak më tej janë disa ushtar të shtirë, të cilët shkëmbyen zjarr me dikë nga ana tjetër. Disa persona islamikë i janë afruar territoreve izraelite, ndaj edhe ka shumë tension dhe frikë”, thotë Artur Bibe.
“Ushtria na kanë zbritur nga makina dhe na kanë lënë këtu jashtë për të pritur. Na kanë thënë të mos largohemi nga makina për shkak të rrezikut”, thotë Bibe.
Gjithashtu në sfond dëgjohen të shtëna me top ose artileri, ndërsa pritet që të fillojë një ofensivë e madhe.
“Duket se ushtarët janë duke pritur që diçka të ndodhë pasi janë në gatishmëri. Për momentin situata duket e qetë. Rreziku është shumë i madh. Herë pas here dëgjohen të shtëna. Në sfond dëgjohen gjithashtu të shtëna me top ose artileri. Është një zonë ku pritet nga momenti në moment që ushtria izraelite të drejtohet drejt Gazës. Mund të ketë filluar një lloj sulmi tokësor drejt Gazës”, raporton gazetari.
Ka kaluar një javë që nga sulmet e Hamasit ndaj Izraelit dhe është ende e paqartë nëse Izraeli ka plane për të nisur një sulm tokësor në Gaza.
Izraeli ka urdhëruar më shumë se një milion njerëz në Gaza të evakuohen drejt jugut përpara një operacioni të mundshëm tokësor izraelit, sipas Kombeve të Bashkuara. Shumë palestinezë lanë shtëpitë e tyre të premten, ndërsa Gaza po kthehet në një shkretëtirë nga bombardimet izraelite.
Kriza humanitare e Gazës po thellohet me paralajmërimet që njerëzit janë në rrezik nga uria. Të paktën 1,900 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Top Channel