Të hënën Samiti i Berlinit në Tiranë/ Masat që do të merren dhe rrugët që do të bllokohen, edhe për këmbësorët

14/10/2023 10:33

Të hënën në Tiranë do të zhvillohet Procesi i Samitit të Berlinit. 

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës, kanë prezantuar masat e ndërmarra për garantimin e rendit publik.

Për shkak se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndodhet për një vizitë pune në SHBA, mbledhjen e mbajti Sokol Bizhga,  zëvendësdrejtori.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas Samitit të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë, më datë 16 tetor 2023.

-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit;

-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit;

-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;

-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Ky hartim masash është bërë në bashkëpunim me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së.

Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

-Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.

Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Theksojmë se kufizimet e mësipërme janë në funksion të perimetrit të sigurisë për Samitin, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:

– Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;

– Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;

– E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;

– Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA