Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një strategji 7 vjeçare që synon deri në 2030-ën vendi të ketë përafruar ligjet e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit me BE.

Në këtë aspekt strategjia përcakton tre objektiva madhorë, miratimin e 140 akteve ligjore dhe nënligjore, rritja e burimeve njerëzore për të forcuar kapacitetet institucionale, krijimi i një sistemi monitorimi efektiv. AKU është institucioni më i rëndësishëm sa i përket sigurisë ushqimore. Një nga problemet kryesore që paraqiten për institucionin janë mosgjenerimi i statistikave të  inspektimeve, digjitalizimi dhe mungesave e infrastrukturës në drejtoritë rajonale, për marrjen e mostrës, garantimin dhe dërgimin  e tyre  në laboratorët respektiv. Ekspertët kërkojnë gjithashtu vëmendje edhe te disa faktorë të tjerë në hartimin e strategjisë.

Nuk merret i gjithë sistemi i sigurisë ushqimore, i cili të jetë i analizuar çfarë është arritur deri më sot dhe të japësh objektiva specifikë. I mëshohet shumë te strategjia, pjesës ligjore, por ajo që unë dua të theksoj është se ne duhet të kemi një objektiv të qartë të strukturave ku do të shkojmë në 2030-ën. Kryesisht duhet përcaktuar qartë si objektiv në këtë lloj reforme, çfarë modeli do nxjerrim deri në 2030? Ne kemi zgjedhur modelin më shumë agjenci, por pyetja që duhet të ngrejmë specialistët e sigurisë ushqimore, a është ky modeli më i mirë me shumë autoritete apo është më mirë modeli me ombrellën e një autoriteti qëndror ku të veprojnë të gjithë inspektoratet e sigurisë ushqimore. Shpeshherë gjejmë në inspektorate mbivendosje kompetencash, të cilat me efektet e zbatimit të sigurisë ushqimore, ato cenojnë zbatimin e ligjit. Sistemet e gjurmimit të sëmundjeve duhet të jenë një objektiv i qartë. Flitet për matrikullimin e kafshëve. Ne kemi tashmë një sistem të matrikullimit të kafshëve kryesisht për gjedhet dhe të imëtat. A do shkojmë te speciet e tjera t’i identifikojmë? A do futemi në sistemin elektronik në të cilin bën pjesë edhe Europa“, shprehet eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj.

Qeveria duhet të kryejë një punë voluminoze në standardizimin, akreditimin, infrastrukturën e cilësisë, metrologjinë dhe mbikëqyrjen e tregut. Sa i përket financimit për objektivat afatshkurtra do të përdoren fondet e buxhetit, ndërsa për ato më afatgjatë do të kërkohen donacione të huaja. Por, thithja e fondeve nga donatorët sërish kërkon trajnimin e burimeve njerëzore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA