Mungesa e punëtorëve i ka detyruar bizneset vendase t’i drejtohen tregut ndërkombëtar të punës.

Tashmë punëtorë nga India, Bangladeshi e vende të tjera i gjen në çdo sektor të industrisë prodhuese. Për biznesin kjo zgjidhje ka sjellë kosto shtesë pasi punonjësve të huaj u garantohet ushqim dhe fjetje.

“Aktualisht në fabrikën tonë punojnë 13 punëtorë të huaj dhe janë kryesisht nga Bangladeshi. Aryesja pse punojnë këtu është se ne kemi mungesë punëtorësh. Kërkesa për punë është shumë e madhe dhe fuqi punëtore nuk kemi. Për arsye të ndryshme.

Kjo për biznesin sjell kosto shtesë, sepse ne u sigurojmë atyre fjetjen, ushqimin etj. E vetmja zgjidhje që kemi për momentin dhe ne ende kërkojmë punëtorë nga jashtë“, shpjegon përgjegjësja e fasonerisë, Elda Matoja.

Ndërkohë, punonjësit e huaj, jo vetëm që janë të kënaqur me punën në Shqipëri, por po mendojnë të jetojnë këtu.

“Shqipëria është një vend i mirë. Na pëlqen të punojmë këtu. Ndoshta nuk është mirë për çdo njeri, por për ne është mirë. Unë jam nga Bangladeshi dhe jam këtu prej më shumë se 3 vitesh. Më pëlqen Shqipëria, por edhe paratë janë mirë. Familja ime është këtu, vëllai im është këtu është mundësi shumë e mirë për ne. Po mendoj të jetoj në Shqipëri. Kam aplikuar për pasaportë, shefi im do më ndihmojë të marr pasaportën dhe të jetoj këtu“, shprehet një prej tyre.

Në Elbasan jo vetëm sektori i fasonerisë, por edhe industria e rëndë në zonën e ish kombinatit Metalurgjik gjithnjë e më shumë po rekrutojnë punonjës të huaj. Madje bizneset po kërkojnë të rekrutojnë familje të tëra në mënyrë që të mos përballen më rriskun e largimit të punëtorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA