Samiti i Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë në 16 tetor, është i dhjeti në serinë e samiteve të tilla dhe i pari në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një vend jo anëtar të BE.
Deutsche Welle i hedh në sy arritjeve të kësaj nisme tani, por edhe çështjeve ku ka nevojë për përmirësim. Rikthimi i vullnetit politik të vendeve anëtare të BE dhe atyre të BP në procesin e zgjerimit dhe bashkëpunimit rajonal renditet në krye të listës së arritjeve.
“Falë mbështetjes së Gjermanisë dhe vendeve të tjera, pjesëmarrëse në këtë proces është arritur të ‘mbyllen’ praktika të përgatitura teknikisht por që nuk nënshkruheshin prej mospajtimeve politike. I tillë është rasti i tri Marrëveshjeve të Mobilitetit, që u nënshkruan vitin e kaluar në Berlin. Këto marrëveshje janë ratifikuar edhe nga Parlamentet e Kosovës dhe të Serbisë dhe po zbatohen nga strukturat kombëtare përkatëse, gjë që tregon qartë vlerën e shtuar të Procesit te Berlinit, krahasuar me iniciativa të ngjashme”, thotë DW.
Katër objektivat e Procesit të Berlinit, të deklaruara që në fillim të tij mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të BP, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit. Mangësitë kryesore ndërkohë sipas shkrimit, janë tre: Nuk ka buxhet, nuk ka struktura, nuk ka kuadër legjislativ.
Thembra e Akilit të marrëveshjeve të arritura rajonale mbetet vënia e tyre në jetë, e ky pohim ilustrohet me shembujt e marrëveshjes së Ohrit mes Serbisë dhe Kosovës apo ratifikimit nga Bosnjë-Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen me karta identiteti! Një nga mangësitë apo sfidat kryesore në këtë proces konsiderohet mungesa e vullnetit politike, e cila e pengon ndjeshëm potencialin për progres.
Top Channel