Shtatë Prokurorë kërkuan votat e kolegëve pasi 3 anëtarëve të KLP-së, Bujar Sheshi, Esmeralda Keshi dhe Eloida Goxhit, u mbaroi mandati dhe tani kthehen si prokurorë.
Ndërsa, prokurorët që konkurrojnë përballë njëri-tjetrin nga Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për një vend janë: Afërdita Ndoi dhe Moisi Duda, që të dy prokurorë të Apelit, por vetëm njëri prej tyre do të zgjidhet.
Nga ana tjetër, nga Prokuroritë e rretheve konkurrojnë 5 prokurorë, prej të cilëve do të votohen vetëm dy:
-Elsa Miha, Tiranë;
-Edina Kurti, Durrës
-Edlira Bako, Elbasan;
-Olger Minaj Korçë;
-Vatë Staka, Shkodër.
Secili prej tyre shtroi platformën përballë kolegëve, ndërsa në Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorëve foli edhe Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela, i cili u ndal tek problematikat por edhe kërcënimi i prokurorëve për shkak të detyrës. Për Top Channel në fund të aktivitetit, Çela tha gjithashtu se janë të nevojshme ndryshimet ligjore sa i takon sigurisë së magjistratëve. Por u shpreh i rezervuar sa i takon propozimeve për ashpërsimin e Kodit Penal.
Kryetari i Këshillit të Prokurorisë, Alfred Balla nga ana tjetër i konsideroi vitet e fundit të reformës në drejtësi si më të vështirat në sistemin e Prokurorisë, sepse shumë prokurorë u larguan nga procesi i vettingut.
Njëra nga anëtaret, që kandidon edhe për në KLP, prokurorja e Tiranës Elsa Miha tha se ka ardhur koha që të ketë përparësi dinjiteti i Prokurorëve dhe të stopohen akuzat ndaj atyre që kanë kaluar të gjithë filtrat dhe kontrollet bazuar në sistemin e vettingut.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se aktualisht votimi ka përfunduar në Polin e Drejtësisë dhe pritet që anëtarët e Komisionit të nisin numërimin e votave të Prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, në mënyrë që të shpallen edhe fituesit për t’u ulur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sa i përket zgjedhjes së prokurorëve të rinj të SPAK, gazetarja Hoxha raporton se me hapjen e garës nga KLP, kanë shprehur interes dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar vetëm katër prokurorë:
–Kreshnik Ajazi, aktualisht kryeprokuror i Elbasanit. Është një nga prokurorët që zbërtheu të penduarin e drejtësisë, Artan Tafani, dhe prej dy vitesh vazhdon të jetë prokuror i mbrojtur nga shteti për shkak të dosjeve të vështira që ka nën hetim.
–Sonila Domi Muhametaj, ka konkurruar edhe më herët për Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK. Zonja Domi më herët gjithashtu ka hapur një betejë gjyqësore me KLP-në duke kundërshtuar renditjen. Sidoqoftë humbi në Gjykatën e Lartë, pavarësisht fitores që mori në Gjykatën e Apelit Administrativ.
–Ols Dado, është një tjetër prokuror që ka shprehur interes për në SPAK dhe aktualisht është prokuror i komanduar pranë Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa më herët ka qenë Prokuror në Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.
–Albert Kuliçi gjithashtu ka shprehur interes për në SPAK. Ai është ish-prokuror i dosjeve të forta. Kuliçit iu vendos lëndë plasëse në automjet teksa hetonte dosjet e forta për tjetërsimin dhe falsifikimin e pronave në Vlorë. Prej një muaj Kuliçi është prokuror në Prokurorinë e Tiranës.
I pesti që përflitet dhe thuhet se do të dorëzojë interesin e tij për të konkurruar për në SPAK, është prokurori Ndini Tavani. Për gazetaren Anila Hoxha, Tavani ka konfirmuar se do të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm jo vetëm fizikisht, por edhe përmes postës elektronike në KLP.
Nuk dihen ende emrat surprizë që do të konkurrojnë në Prokurorinë e Posaçme, por ajo që dihet është se në datën 16, ora 00:00, përfundon afati për çdo prokuror që ka ambicje dhe kërkon të ngrihet në karrierë për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend.
Top Channel