Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të udhëtojë të premten në Bahrein, duke i shtuar një ndalesë tjetër udhëtimit të tij shumëkombësh që synon të ndalojë zgjerimin e mëtejshëm të luftës në Izrael.
Kryediplomati amerikan ndodhet aktualisht në Doha të Katarit. Të enjten, ai ishte në Izrael, duke u takuar me zyrtarë të lartë, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe familjet e amerikanëve të vrarë ose të zënë rob nga Hamasi. Më herët të premten, ai u takua veçmas me Mbretin Abdullah II dhe presidentin palestinez Mahmud Abbas.
Nga Doha, Blinken do të udhëtojë për në Bahrein, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin përpara se të kthehet në Shtetet e Bashkuara të dielën.
“Në secilin prej këtyre angazhimeve, ne do të vazhdojmë t’u bëjmë presion vendeve për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së konfliktit dhe për të përdorur ndikimin e tyre me Hamasin për të liruar menjëherë dhe pa kushte pengjet,” tha Blinken në një konferencë shtypi në Tel Aviv të enjten.
Top Channel