Samiti i Procesit të Berlinit të hënën në Tiranë/ Hasani shpresëplotë për rezultate konkrete në rrugën e Shqipërisë drejt BE

13/10/2023 11:59

Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për rolin e parlamenteve në procesin e Berlinit, tha se realizimi i kësaj platforme do të sjellë transformim jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në çështjet e brendshme, ndaj është i nevojshëm angazhimi gjithpërfshirës i palëve.

Hasani u shpreh shpresëplotë se Samiti në Tiranë do të dalë me rezultate konkrete, të cilat do të përshpejtojnë rrugën e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE.

Shefi i diplomacisë shqiptare e ka konsideruar takimin e sotëm kuptimplotë, pasi bashkëpunimi parlamentar rajonal sipas tij lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit në BE të rajonit.

“Ju falënderoj për ftesën e për mundësinë për të diskutuar për rolin e parlamentit në një proces aq të rëndësishëm sa ai i Berlinit.

Javën që shkoi ne patëm takimin e Ministrave të Jashtëm, javën që vjen kemi Samitin e Procesit të Berlinit. Prandaj, ky është një moment shumë i përshtatshëm për të diskutuar mbi këtë temë.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon të nxisë jo reformimin dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, për të përafruar atë kësisoj me Bashkimin Europian. Është pra një iniciativë që synon të mbështesë e të përshpejtojë procesin e integrimit. Si e tillë natyrisht kërkon reforma, kërkon transformim jo vetëm në aspektin diplomatik, pra në marrëdhëniet me fqinjët. Por edhe në çështje të brendshme, pasi duhen krijuar politika, strategji e kuadër ligjor për të bërë të mundur këto reforma.

Me pak fjalë, ashtu si edhe procesi i integrimit, ashtu si çdo proces transformues i këtyre përmasave, realizimi me sukses i objektivave të Procesit të Berlinit natyrisht kërkon angazhimin e çdo segmenti të shtetit e shoqërisë. Parlamenti padyshim, por edhe të shoqërisë civile, grupeve të interesit e kështu me radhë, edhe pse ky mund të jetë një diskutim për një tjetër takim.

Por sa për ilustrim të disa produkteve konkrete të Procesit të Berlinit, mund të sjell në vëmendje të kolegëve që 2 vjet më parë ne krijuam një zonë të lirë roaming mes vendeve të rajonit. Kurse në 1 tetor të këtij viti patëm edhe uljen e konsiderueshme të tarifave të roaming me BE.

Ose, për të sjellë një shembull më domethënës, do të përmendja korridoret e gjelbra, që ishin jetike gjatë periudhës së pandemisë për të mbajtur gjallë tregtinë e  lidhjet logjistike me rajonin e Europën. Apo marrëveshjet për lëvizshmërinë e profesioneve të rregulluara, që u mundësojnë njerëzve të udhëtojnë më lehtë ose të shfrytëzojnë mundësitë e punës brenda Ballkanit Perëndimor.

Natyrisht, për pak ditë, këtyre produkteve do t’u shtohen edhe rezultatet e Samitit të datës 16, që duhet theksuar që është hera e parë që mbahet në një vend të rajonit. Jam shpresëplotë që Samiti do të dalë me rezultate konkrete që do të përshpejtojnë rrugën e vendit tonë drejt tregut të përbashkët evropian dhe anëtarësimit në BE.

E pra, që këto procese kaq të rëndësishme të kurorëzohen me sukses, e të mos mbeten thjesht shprehje vullneti politik në letër, ato sigurisht kanë nevojë për përfshirjen e parlamentit.

Por ky, pra angazhimi i parlamentit për të përkthyer në legjislacion produktet e Procesit të Berlinit është vetëm njëri aspekt i asaj që parlamentet mund të bëjnë. Sepse unë besoj që Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si edhe parlamentet e vendeve të tjera të Procesit, duhet të kenë edhe një rol proaktiv. Duke zhvilluar diplomacinë parlamentare, duke vendosur ura komunikimi e bashkëpunimi, duke formuluar iniciativa që nxisin integrimin, e kështu me radhë. Dhe në këtë aspekt, Kuvendi i Shqipërisë ka një eksperiencë e një ekspertizë vërtet të shkëlqyer.

Por, duke u rikthyer tek Procesi i Berlinit, edhe pse Samiti i Ballkanit Perëndimor në Poznań, në korrik 2019 pranoi zyrtarisht nevojën për të përfshirë parlamentet kombëtare në Procesin e Berlinit, për gati nëntë vjet, parlamentet e të gjashtë vendeve të rajonit nuk kanë qenë pjesë e Procesit të Berlinit.

Kjo duhet të ndryshojë. Dhe unë besoj që ekzistojnë të gjithë mundësitë, i gjithë vullneti politik, për një përfshirje më të madhe të parlamentit në Procesin e Berlinit. Aq më tepër që bashkëpunimi parlamentar rajonal lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.

Më lejoni t’ju përmend shkurtimisht veç disa nga drejtimet tematike të Procesit të Berlinit, ku mendoj se parlamentet kanë jo thjesht të drejtën, por edhe detyrimin për të bashkëpunuar:

Së pari, në zgjidhjen e çështjeve bilaterale pasi dimensioni politik i Procesit të Berlinit ka krijuar një moment shumë të mirë për forcimin e marrëdhënieve mes shoqërive të Ballkanit Perëndimor.

Së dyti, në promovimin e dimensionit ekonomik i cili fokusohet në zhvillimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe rritjes së qëndrueshme në rajon.

Së treti, në thellimin e dimensionit social i cili fokusohet në rëndësinë e shoqërisë civile dhe marrëdhënieve mes popujve.

Unë shpresoj që bashkë me kolegët do të kemi mundësinë të eksplorojmë hapa konkrete që mund të hidhen në secilin prej këtyre drejtimeve. Sepse jam i bindur që një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë e Kuvendit natyrisht që do të japë rezultate konkrete e do të përmirësojë arritjet e Procesit të Berlinit për vendin tone”- deklaroi Hasani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA