Banorët e Rripit të Gazës vijojnë të përballen me sulme intensive për të shtatën ditë radhazi, duke shkaktuar një bilanc prej 1400 palestinezësh të vrarë.
Në rrëfimet rrëqethëse të të mbijetuarve nga një zonë e bombarduar së fundmi, ata tregojnë se gjendja po rëndohet gjithnjë e më tej.
“Sot nuk dimë ku të shkojmë, nuk ka vend të sigurt. Izraeli po kryen masakra kundër civilëve dhe fëmijët tanë janë tani nën rrënoja. Nuk kemi ushqim dhe ujë”, tha Masad Al Arabeed-banor i Gazës.
“Mjaft vuajtje. Ne po vritemi. Zgjohemi me vrasje dhe vdekje nën bomba. Ne nuk dimë ku të shkojmë, ku është e sigurt”, u shpreh Mohamed Abu Ali- banor i Gazës.
Nën rrënoja po vijojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar në ndërtesat e shkatërruara, ndërsa shtohet se ka edhe fëmijë.
Forcat e Mbrojtjes izraelite kanë bërë thirrje për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në qytetin e Gazës, për sigurinë e tyre, por vështirësia është e lartë gjatë kohës kur sulmet vijojnë.
Dëmet janë të konsiderueshme në Gaza, që pas nisjes së bombardimeve nga Izraeli si pasojë e sulmit të befasishëm nga Militantët e Hamasit gjatë së shtunës.
Spitalet janë të tejmbushura me palestinezë të plagosur, ndërsa mungesa e ilaçeve ka nisur të ndjehet për shkak të bllokadës izraelite. Një mungesë të shtuar ka në ushqime dhe ujë, përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike.
Top Channel