Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për konfiskimin e pasurive të xhaxhait të ‘Ben Qimes’, Ahmet Isufaj.
Pasuritë e Isufajt sekuestrohen si “masë parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike.”
Kështu, Isufajt i janë sekuestruar një kompleks shërbimesh Bar-Restorant, lavazh dhe parkim, me sipërfaqe 529.40m², në Sheq të Madh të Fierit, në pronësi të tij dhe Mariana Shyqyri Isufaj; një truall me sipërfaqe 1580 m², mbi të cilën ka ndërtuar kompleks shërbimesh (dyqane) 1200 m², po në Sheq; dhe një automjet tip “AUDI A4”, ngjyrë e gri e errët.
Po ashtu, është sekuestruar edhe një pasuri e paluajtshme me sipërfaqe 55.16 m², (nga të cilat 16.56 m² ambient i përbashkët), në pronësi të shtetases E. Bregu (Isufaj), e cila ndodhet në lagjen “1 Maji” – Fier, nr.13, kati i I-rë.
Mbi të kaluarën e Isufaj, UNMIK njoftoi policinë shqiptare për procedimin e tij nga seksioni i narkotikëve në 2011-ën, por që më pas me procedurat gjyqësore shqiptare, ai u lirua për t’u shpallur në kërkim dhe arrestuar sërish në 2019 me qëllim ekstradimin.
Më vonë, Isufaj u lirua nga Gjykata e Vlorës dhe prej këtij viti ai nuk i është dorëzuar ende Kosovës.
Isufaj ka lidhje familjare me Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”, për të cilin Gjykata e Posaçme ka vendosur më herët sekuestrimin e pasurive të tij. Fierakut iu bllokuan 13 pasuri, pas verifikimit të të afërmve ku u përfshi edhe shoferi personal. Midis pasurive të sekuestruara që dyshohen të lidhura me “Ben Qimen” janë aksione të shoqërisë Akili, Pulari Isufaj, Isufaj 2004 dhe katër sipërfaqe me tokë dhe disa automjete.
Së fundmi ndaj këtij shtetasi policia lokale ka dërguar një fletëthirrje që ende nuk është respektuar prej tij, mbasi autoritetet kërkojnë ta pyesin nëse kishte apo jo konflikte me Demir Backën i vrarë mbas shpine me breshëri plumbash sapo doli nga një lokal.
Top Channel