Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në Top Story akuzoi deputetët se rezoluta për Kosovën u firmos shumë vonë, krahasuar me reagimin për luftën në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Hamasit.
“Nga e shtuna në të shtunë, nga e shtuna e të dielës së 24 shtatorit me të shtunën e javës së shkuar ku ndodhi kriza në Lindjen e Mesme ka pasur dy qëndrime nga shqiptarët.
Nëse për krizën në veri Kosovës për atë dramë të përgjakshme, parlamentit të Shqipërisë iu desh tre javë të binin dakord për të firmosur një copë letër A4, ndërsa iu desh vetëm 3 orë të bëheshin gjithë bashkë edhe një herë për të dënuar agresionin e një organizate terroriste si Hamasi.
Në epilog të këtyre javëve do të duhej të kishte solemnitet, sërish u sulën me yshtje dhe yryshtje të njërës palë ndaj tjetrës, a thua se beteja bëhej këtu”, u shpreh analisti.
Rezoluta për Kosovën u miratua këtë pasdite me 101 vota, pas seancës maratonë në Kuvend. Teksa votohej Rezoluta, disa deputetë të opozitës krijuan tensione në sallë, duke bllokuar Foltoren.
Rezoluta shpalos mbështetjen e dokumentit të miratuar nga parlamenti i Kosovës dhe kërkon nisjen e një hetimi ndërkombëtar, ku Shqipëria të jetë zëri i saj për të lobuar me Bashkimin Europian dhe SHBA-në për njohjen si shtet i pavarur nga Serbia.
Top Channel