Në ditën e gjashtë të konfliktit të Izraelit me palestinezët e Hamas në rripin e Gazës, vazhdojnë bombardimet intensive të ushtrisë izraelite si nga ajri ashtu edhe nga toka drejt Gazës.
Qyteti i palestinezëve po kthehet në gërmadhë nga furia e bombave, ndërsa në anën tjetër të kufirit civilët izraelitë po jetojnë me tmerrin e raketave që u bien mbi kokë. Një nga qytetet më të bombarduara nga Hamas është qyteti izraelit i Ashkelonit, Top Channel dy ditë më parë solli edhe pamjet ekskluzive nga spitali i këtij qyteti që ishte shkatërruar nga raketat, ndërsa mbrëmë bombat kanë rënë edhe në qytetin e Be’er Shevas.
Sot në Bersheva, ku ka edhe shqiptaro-hebrenj ndodhet edhe gazetari i Top Channel, Artur Bibe, i cili ka raportuar mbi situatën nga zemra e luftës.
“Është një luftë tjetër, një luftë më e egër dhe më e fuqishme sesa e Ukrainës. Ndodhemi jashtë qytetit të Be’er Shevas, aty ku pak më herët ka pasur një seri bombardimesh dhe po mbulojmë ngjarjet këtu. Destinacioni ynë është zona e Ashkelonit dhe më pas zona e Kibbutz, aty ku forcat ekstremiste palestineze të Hamasit ekzekutuan gjatë këtyre ditëve dhjetëra civil izraelit. Sikurse e shikoni edhe në pamjet e fokusuara nga operatori ynë, ky është check point-i i parë dhe më pas do t’i drejtohemi zonës së Gazas, ku herë pas here ka pika kontrolli të shumta.
Policia dhe ushtria, e cila është e shumtë në zonë, na ka këshilluar shpesh që të bëjmë kujdes sepse terroristët nuk pyesin, por i lëshojnë raketat pa asnjë lloj paralajmërimi duke rrezikuar goxha.
Fluturojnë shpesh avionë luftarak, zhurma e të cilëve dëgjohet largë. Po ashtu, ka edhe helikopterë në zonë dhe herë pas here dëgjohen shpërthime nga zona e Gazas. Nuk e dim ende se çfarë po ndodh në Gaza, por sapo kaluan ambulanca dhe makina policie.
Transportohen shpesh të plagosur, është një situatë kaotike. Ndërkohë që qytetarët këtu kanë marrë të gjitha masat duke u furnizuar me ushqime dhe mbrojtur në bodrumet e banesave të tyre sepse nuk ka asnjë siguri se çfarë mund të ndodhë nga momenti në moment”- tha Bibe.
Gazetari i Top Channel ka treguar edhe për eksperiencën e raportimit në të dy zonat e luftës Ukrainë dhe Gaza.
“Është një situatë, që ka një tension sepse armiku këtu është i padukshëm. Nëse në zonën e Ukrainës ne e dinim se ku ndodheshin forcat ruse ose orët kur nuk duhej të lëviznim në zonën e frontit, këtu nuk dihet se nga vijnë sulmet. Në një moment të caktuar ti je duke bërë reportazh në një zonë të caktuar dhe aty vjen raketa dhe çdo gjë hidhet në erë.
Pamjet ekskluzive që ne kemi transmetuar nga zona e Ashkelonit këtë tregojnë, që nuk ka garanci sepse mund të vijë një raketë dhe të ndryshojë çdo gjë jo vetëm jetën e personave që banojnë këtu, por edhe tonat.
Ndërsa në Ukrainë ishte ndryshe. Ishin dy fronte, dy ushtri dhe çdo gjë funksiononte brenda rregullave. Ajo që ishte e rrezikshme aty ishin vetëm raketat, mbetjet e të cilave mund të binin kudo pasi ishin shkatërruar në ajër”- tha Bibe.
Më tej, gazetari theksoi se ka mundur të kontaktoj me komunitetin e shqiptaro-hebrenjve në Be’er Sheva dhe në orët në vijim do të kemi komunikime ekskluzive të tyre.
Top Channel