Të paktën 1200 të vdekur e 5600 të plagosur është bilanci i bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës, që nuk i lënë palestinezëve rrugë shpëtimi.
Banorët thonë se realisht atje, nuk ke nga të ikësh. Territori është në darën e bllokadës 16-vjeçare të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti. Kur nisi lufta, siç ka shpërthyer edhe katër herë më parë që kur grupi militant palestinez, Hamas, mori pushtetin në vitin 2007, edhe objektet e OKB-së që supozohet të jenë zona të sigurta, rrezikojnë të përfshihen në luftime.
Të zhvendosurit, deri tani sipas Kombeve të Bashkuara, janë 340 mijë. Mes izraelitëve numërohen 1300 jetë të humbura; të plagosurit janë 3300. Ushtria e shtetit hebre po përgatitet për një operacion të mundshëm tokësor në Gaza, por liderët politikë atje nuk kanë vendosur ende për këtë çështje.
Të gjithë anëtarët e Hamasit do të asgjësohen, kërcënoi Benjamin Netanyahu, pas njoftimit se koalicioni qeverisës nën drejtimin e partisë së tij Likud ra dakord me politikanët e opozitës për krijimin e një “qeverie lufte”, një kabinet emergjence ku do të bëjë pjesë Netanjahu, kryeopozitari Benny Gantz Gantz dhe ministri i Mbrojtjes Joaw Galant. Ky forum do të jetë në pushtet për aq kohë sa të vazhdojnë luftimet me Hamasin në Rripin e Gazës.
“Ne po përballemi me një armik mizor, një armik që është më i keq sesa Shteti Islamik. Kemi parë fëmijë të vegjël të lidhur e të qëlluar në kokë, njerëz të djegur të gjallë, vajza të reja të përdhunuara e të masakruara, ushtarë më kokë të prerë. Ne do të luftojmë me të gjithë forcën tonë, në të gjitha frontet. Çdo anëtar i Hamasit është një njeri i vdekur. Hamasi është DAESH-i (ISIS) dhe ne do t`i shtypim e do t`i shkatërrojmë ashtu siç bëri bota me ISIS-in”, u shpreh Netanyahu.
Sulmet e mbrëmjes së djeshme treguan se Netanyahu po i bën realitet kërcënimet e tij. Ushtria izraelite ka goditur ashpër forcat elitë “Nukhba” të Hamasit, sidomos qendrat e tij të komandës së operacioneve të grupit islamik. Rrethimi i Gazës nuk do të hiqet deri në lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, ndërsa avionët e saj po shenjtërojnë dhe rrjetin e tuneleve të përdorur nga militantët.
As energjia elektrike nuk do të kthehet, rubinetet e ujit nuk do të hapen, asnjë kamion nuk do të lejohet të hyjë deklaroi ministri i energjisë Israel Katz. Rreth 100 vetë u morën peng në Gaza gjatë sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit. Kriza e Izraelit me pengjet po përshkruhet si makthi i çdo qeverie.
Mes lajmeve se ushtria izraelite po dërgon rezervistë edhe në kufi me Libanin, sytë po kthehen njëkohësisht edhe nga diplomacia me mbërritjen e sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken në Izrael, ku pritet takimi i tij me Netanyahun e zyrtarë të tjerë izraelitë dhe familjarë të personave të rrëmbyer.
Blinken takohet nesër sipas raporteve edhe me presidentit e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor, Abu Mazen, rivali politik i Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës.
Top Channel