Gazetari i Top Channel, Artur Bibe ndodhet në jug të Izraelit, pak kilometra nga froni i Gazës, ku e cilëson të pazakontë situatën atje.
Sipas raportimeve të fundit, ai thotë se shumë tanke po avancojnë drejt Gazës, ndërsa shihen lëvizje e madhe forcash të armatosura izraelite, të cilët po përgatiten për luftë.
“Janë të tjera forca ushtarake që po i drejtohen Gazës. Një autokolonë e madhe është nisur, një tjetër autokolonë është duke ikur. Do të ketë ndërhyrje shumë shpejt. Janë tanke që transportojnë rreth 15 ushtarë. Duket se do të ketë një ndërhyrje nga toka. Janë tanke M113, të prodhimit amerikan, të cilat do të shkojnë drejt zonës së Gazës, aty ku do të fillojnë edhe operacionet ushtarake gjatë orëve në vazhdim”, thotë Bibe.
Gazetari gjithashtu raporton se forcat izraelite janë duke kënduar dhe duke festuar për momentin e nisjes së ofensivës.
“Një tjetër autokolonë tankesh e ushtrisë izraelite. Duke optimizmi i ushtrisë. Të gjithë këndojnë dhe festojnë momentin e nisjes së ofensivës. Forca të shumta po adresohen drejt Gazës. Raketa shihen në ajër”, raporton ai.
Shoferi i kamionit i cili transporton një tank drejt Gazës përshëndet me borinë e mjetit gazetarin, Artur Bibe.
Para nisjes për në luftë gazetari i Top Channel na ka sjellë pamje nga përgatitja e ushtarëve të cilët këndonin vargjet hebraike, ndërsa disa të tjerë falen.
“Ndodhemi pak kilometra larg kufirit me Gazën, është një pikë ku vullnetarë të ndryshëm vijnë dhe u ofrojnë ushtrarve ushqim, në fakt gjatë periudhës së një pushimi të shkurtër një rabin po këndon vargjet hebraike dhe ushtarë të tjerë që falen. Forcat izraelite po përgatiten për luftë”, tha ai.
Në ditën e gjashtë të konfliktit të Izraelit me palestinezët e Hamas në rripin e Gazës, vazhdojnë bombardimet intensive të ushtrisë izraelite si nga ajri ashtu edhe nga toka drejt Gazës.
Qyteti i palestinezëve po kthehet në gërmadhë nga furia e bombave, ndërsa izraelitët po jetojnë me tmerrin e raketave. Një nga qytetet më të bombarduara nga Hamas është qyteti izraelit i Ashkelonit.
Top Channel