Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë vendimin që i hap rrugën ndërtimit të Akademisë së Futbollit në Durrës.
Qeveria vendosi që pronat shtetërore në Spitallë ku do të ndërtohet Akademia, të vihen në dispozicion të “Durrah City Football Academy”.
“Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, të pronave shtetërore me numër pasurie 79/1, me sipërfaqe 99 770 m2, dhe 80/1, me sipërfaqe 104 580 m2, pjesë e zonës kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, në zonën e Spitallës, sipas kartelave të pasurive dhe fragmenteve të hartës kadastrale, në aneksin 1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për vënien në dispozicion të fondacionit “Durrah City Football Academy”, me qëllim ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës.
Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës, të ambienteve sportive dhe çdo shërbimi të nevojshëm, në funksion të promovimit dhe zhvillimit të sportit të futbollit në Republikën e Shqipërisë, si dhe realizimin e funksioneve të fondacionit “Durrah City Football Academy”.
Në listën e pasurive që përfshihen në sipërfaqen e zonës teknologjike dhe zhvillimit ekonomik, bashkëlidhur vendimit nr.262, datë 6.4.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës”, të ndryshuar, hiqen pronat shtetërore të përcaktuara në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi”.
Në muajin prill, u arrit marrëveshja e bashkëpunimit për të sjellë në Durrës akademinë e ekipit të Manchester City.
Marrëveshja erdhi si bashkim forcash mes Bashkisë Durrës, Ministrisë së Arsimit dhe Mohammed Alabar. Arritja e kësaj marrëveshje e para e këtij lloji në Shqipëri me përfitime të drejtpërdrejta për të rinjtë e Durrës.
Top Channel