Nuk ka një tërheqje, takimi Stoltenberg-Zelensky: Ndihmat për Ukrainën do të vijojnë

11/10/2023 22:59

Gjatë takimit dy ditor të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s që nisi sot në Bruksel, drejtuesi i diskutimeve Jens Stoltenberg rikonfirmoi edhe një herë tjetër se do të jenë pranë Ukrainës në luftën e gjatë me Rusinë, teksa pret që edhe aleatët të bëjnë të njëjtën gjë.

Shefi i NATO-s gjatë një konference të përbashkët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se siguria e Ukrainës është siguria e anëtarëve të NATO-s.

“Lufta juaj është lufta jonë, siguria juaj është siguria jonë dhe vlerat tuaja janë vlerat tona. Dhe ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të duhet. Do të forcojmë më tej marrëdhëniet tona dhe do të ndihmojmë Ukrainën të shkojë drejt anëtarësimit në NATO”, tha Stoltenberg.

Ndërkohë gjatë takimit me ministrat e mbrojtjes të Këshillit NATO-Ukrainë, ai njoftoi se do të vijojnë përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet dhe për të ndihmuar Ukrainën të shkojë drejt anëtarësimit në NATO, të cilën e kërkon prej kohësh.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se dimri paraqet sfidën më të madhe për mbrojtjen e Ukrainës, duke shtuar se vendi ka nevojë për artileri, mbrojtje ajrore dhe municione. Ndër të tjera ai bëri dhe një koment:

“Terroristët si Putin ose si Hamasi kërkojnë të mbajnë të lirë dhe kombet demokratike si pengje. Dhe ata duan pushtet mbi ata që kërkojnë lirinë, terroristët nuk do të ndryshojnë. Ata thjesht duhet të humbasin”, u shpreh Zelesnky.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA