Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi më 11 tetor për formimin e një “qeverie emergjente” me liderin e partisë opozitare, Benny Gantz. Ekzekutivi do të udhëheqë me shtetin gjatë periudhës së luftës me militantët palestinezë të Hamasit.
“Pas takimit të mbajtur sot, të dy janë pajtuar për formimin e një Qeverie emergjente dhe të një kabineti të luftës”, u tha në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Netanyahu dhe Gantz, i cili në të kaluarën ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe shef i ushtrisë.
“Qeveria e luftës” përbëhet nga Netanyahu, Gantz dhe nga ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Sipas njoftimit, Gadi Eisenkot, ish-shefi i ushtrisë nga partia e Gantzit, dhe ministri për Çështje Strategjike, Ron Dermer, do të shërbejnë si vëzhgues në këtë ekzekutiv.
Lideri opozitar, Yair Lapid, nuk i është bashkuar ish-aleatit të tij Gantz, por në njoftim u tha se një vend në Qeverinë e luftës do të jetë “i rezervuar” për të.
REL shkruan se po ashtu, pjesë e Qeverisë do të mbeten aleatët e Netanyahut nga ekstremi i djathtë dhe hebrenjtë ultra-ortodoksë.
Kryeministri Netanyahu është pajtuar që të ndalë reformën në gjyqësor, që ka shkaktuar ndarje të thella në shtet dhe kundër së cilës janë organizuar protestat më të mëdha në historinë e Izraelit.
“Gjatë luftës, asnjë projektligj apo mocion i sponsorizuar nga Qeveria që nuk lidhet me luftën, nuk do të procedohet”, u tha në njoftim.
Grupi militant Hamas Hamasi nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit në vite, duke e sulmuar nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra dhe po vazhdon që ta bombardojë Gazën, territor ku jetojnë rreth 2 milionë banorë.
Që nga shpërthimi i dhunës, Izraeli ka thënë se mbi 1.200 persona janë vrarë, ndërkaq në Gaza është raportuar për mbi 1.000 të vrarë dhe mijëra të plagosur.
Top Channel