Izraeli ndërpret ushqimet dhe energjinë në Gaza, 1.100 palestinezë të vrarë/ Hamasi godet me raketa, 1.200 viktima mes izraelitëve

11/10/2023 22:47

Numri i viktimave si në radhët e izraelitëve, edhe në radhët e palestinezëve vazhdon të rritet.

Numri i të vdekurve në Izrael nga sulmet e Hamasit ka arritur në 1.200, ndërsa mbi 1.100 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.

Një numër madh raketash u lëshuan mbrëmjen e të mërkurës nga Rripi Gazës.

Por sistemi mbrojtjes ajrore i Izraelit arriti t’i frenonte ato para se të shkonin në destinacionet përkatëse. Shkëmbimi raketor mes Hamasit dhe Izraelit vazhdoi për të pestën ditë me radhë. Ushtria e Izraelit po bombardon nga ajri dhe toka qendrat e Hamasit në Gaza. Ndërkohë që Hamasi hodhi raketa mbi qytetin e Ashkelonit.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit gjatë kontrolleve të ushtruara në jug, në afërsi të Kibbutz Nir Am, konstatuan dhe një numër automjetesh me militantë të Hamasit, tre prej të cilëve u vranë.

Ndërkohë, armët amerikane të avancuara mbërritën në Izrael. Ushtria izraelite pas mbërritjes së avionit me municione në bazën ajrore Nevatim, njoftoi se do të shërbejnë për sulme të rëndësishme kundrejt objektivave në Rripin e Gazës.

Sekretari amerikan i shtetit u nis drejt Izraelit, për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu por dhe me zyrtarë të lartë. Ai tha se SHBA-ja do t’i japë ushtrisë izraelite gjithçka i nevojitet.

“SHBA-ja e kishte mbështetjen e Izraelit – sot, nesër dhe çdo ditë. Ne qëndrojmë me vendosmëri kundër terrorizmit dhe kemi parë aktet pothuajse të papërshkrueshme të krijuara nga Hamasi”, tha Blinken.

Por ndërsa armatosin Izraelin që po përgatitet për luftë me Hamasin, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë po punojnë me egjiptianët për të ndërtuar një korridor humanitar për të evakuuar palestinezët nga Gaza, përmes Kalimit Rafah, në Egjipt, tashmë fronti më i rëndësishëm i sulmeve.

Në Izrael është krijuar qeveria e emergjencës, bashkë me opozitën e majtë. Kryeministri Netanyahu pranoi që ministër përgjegjës për luftën të jetë një politikan i opozitës. Kjo qeveri ka në fokus vetëm luftën.

Izraelitët po numërojnë ende viktimat, përveç të zhdukurve që mendohet se janë marrë peng. Nga përtej kufirit, në Gaza numri i viktimave po rritet ndërsa miliona palestinezët që jetojnë atje kanë ngelur pa naftë, pa energji elektrike sepse i vetmi stacion elektrik nuk ka më karburant. Në Gaza nuk mund të hyjnë as ushqime dhe ilaçe.Po ashtu nga luftimet, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se kanë humbur jetën dhe 22 amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA