Gjithçka ndodhi në pak sekonda/ Si dështuan Shërbimet e Izraelit për të ndalur sulmin e Hamasit

11/10/2023 16:04

Pak para se sulmuesit nga Gaza të futeshin në Izrael në agim të së shtunës, inteligjenca izraelite zbuloi një rritje të aktivitetit në disa prej rrjeteve militante të Gazës që ajo monitoron.

Ndërsa nuhati se diçka e pazakontë po ndodhte, ata u dërguan një alarm ushtarëve izraelitë që ruanin kufirin e Gazës, sipas dy zyrtarëve të lartë të sigurisë izraelite, shkruan “The New York Times” në një artikull.

Por paralajmërimi nuk u zbatua, ose se ushtarët nuk e morën ose ata nuk e lexuan. Menjëherë pas kësaj, Hamasi, grupi që kontrollon Gazën, dërgoi dronë për të çaktivizuar disa nga stacionet e komunikimit celular të ushtrisë izraelite dhe kullat e vëzhgimit përgjatë kufirit, duke penguar oficerët e shërbimit të monitorojnë zonën nga distanca me kamera.

Dronët shkatërruan gjithashtu mitralozë të telekomanduar që Izraeli kishte instaluar në fortifikimet e tij kufitare, duke hequr mjetin kyç për të luftuar një sulm tokësor.

Kjo e bëri më të lehtë për sulmuesit e Hamasit që të afroheshin dhe të hidhnin në erë pjesë të gardhit kufitar dhe ta shpërthenin atë në disa vende me lehtësi të habitshme, duke lejuar mijëra palestinezë të kalonin nëpër boshllëqe.

Këto dështime dhe dobësi operacionale ishin ndër një sërë gabimesh logjistike dhe inteligjence nga Shërbimet Izraelite të Sigurisë që hapën rrugën për inkursionin e Gazës në Izraelin jugor, sipas katër zyrtarëve të lartë izraelitë të sigurisë që folën në kushte anonimiteti.

Për orë të tëra, ushtria më e fortë në Lindjen e Mesme u la e pafuqishme për të luftuar kundër një armiku shumë më të dobët, duke i lënë fshatrat të pambrojtur për pjesën më të madhe të ditës kundër skuadrave të sulmuesve që vranë më shumë se 1000 izraelitë, përfshirë ushtarë, rrëmbyen të paktën 150 persona; pushtoi të paktën katër kampe ushtarake; dhe u përhap në më shumë se 30 milje të territorit izraelit.

Katër zyrtarët thanë se sulmi i Hamasit pati sukses për shkak të dështimit të bashkëpunimit mes komunitetit të inteligjencës dhe ushtrisë izraelite.

Pikat të cilat dështuan sipas tyre janë:

Monitorimi i kanaleve kryesore të komunikimit të përdorura nga sulmuesit palestinezë, nga oficerët e inteligjencës;

Grumbullimi i komandantëve në një bazë të vetme kufitare duke penguar komunikimin me pjesën tjetër të forcave të armatosura;

Besueshmëria e komunikimeve të liderëve ushtarakë të Gazës në kanalet private që e dinin se monitoroheshin nga Izraeli, ku thonin se nuk po përgatiteshin për betejë.

“Ne shpenzojmë miliarda e miliarda për mbledhjen e inteligjencës për Hamasin”, tha Yoel Guzansky, një ish-zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit. “Më pas, në një sekondë,” shtoi ai, “gjithçka u shemb si domino”.

Dështimi i parë zuri rrënjë muaj para sulmit, pasi shefat izraelitë të sigurisë bënë supozime të pasakta për shkallën e kërcënimit që Hamasi i paraqiste Izraelit nga Gaza.

Në përgjimet e agjentëve të inteligjencës izraelite, anëtarët e Hamasit thanë se donin të shmangnin një luftë tjetër me Izraelin pas një konflikti dy javor në maj të vitit 2021, sipas dy izraelitëve. Inteligjenca izraelite, thanë ata, tani po shqyrton nëse ato thirrje ishin reale apo të inskenuara.

Dështimi tjetër ishte operacional. Dy nga zyrtarët thanë se sistemi izraelit i mbikëqyrjes kufitare mbështetej pothuajse tërësisht në kamera, sensorë dhe mitralozë që operohen nga distanca.

Komandantët izraelitë ishin rritur tepër të sigurt në papërshkueshmërinë e sistemit. Ata menduan se kombinimi i mbikëqyrjes në distancë dhe armëve, barrierave mbi tokë dhe një muri nëntokësor për të bllokuar Hamasin nga gërmimi i tuneleve në Izrael e bënte të pamundur infiltrimin masiv, duke reduktuar nevojën që një numër i konsiderueshëm ushtarësh të vendoseshin fizikisht përgjatë vetë vijës kufitare.

Hamasi përfitoi nga kjo dobësi duke dërguar drone ajrore për të sulmuar kullat celulare që transmetonin sinjale në dhe nga sistemi i mbikëqyrjes, sipas zyrtarëve dhe gjithashtu pamjet e dronit të qarkulluara nga Hamasi të shtunën.

Pa sinjale celulare, sistemi ishte i padobishëm. Ushtarët e vendosur në dhomat e kontrollit prapa vijës së frontit nuk morën alarme se gardhi që ndante Gazën nga Izraeli ishte thyer dhe nuk mund të shikonin videon ku u tregonin se sulmuesit e Hamasit po hidhnin barrikadat.

Për më tepër, pengesa doli të ishte më e lehtë për t’u kapërcyer nga sa prisnin zyrtarët izraelitë.

Kjo lejoi më shumë se 1,500 luftëtarë të Gazës të kalojnë nëpër gati 30 pika përgjatë kufirit, disa prej tyre me avionë që fluturuan mbi majë të barrikadave dhe të arrijnë të paktën katër baza ushtarake izraelite pa u kapur.

Kjo situatë, e kombinuar me problemet e komunikimit të shkaktuara nga sulmet me dron, pengoi një reagim të koordinuar. Kjo e pengoi këdo përgjatë kufirit të kuptonte gjerësinë e plotë të sulmit, përfshirë komandantët që nxituan nga gjetkë në Izrael për të nisur një kundërsulm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA