Vuçiç bisedon me Zelenskyn për agjendën ndërkombëtare, zbulon detaje nga diskutimet Sulmi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duhet zbardhur sa më parë dhe situata të çtensionohet urgjentisht ishte mesazhi i prerë i ambasadores së Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad.
“Gjendja aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, e as për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, u shpreh diplomatja e larte për gazetën Blic.
Konrad theksoi se është e rëndësishme të krijohen kushte për rikthimin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe për implementimin e dy marrëveshjeve të arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër.
Konrad, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e Kosovës me shumicë serbe dhe kthimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në institucionet e Kosovës. Pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në 24 shtator, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, nga Bashkimi Evropian u dërguan sinjale se masat ndaj Serbisë janë të mundshme, nëse vërtetohet se ajo ka pasur lidhje me këtë episode.
Beogradi i ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës zyrtare se qëndron ai pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentativë për të aneksuar veriun e Kosovës”.
Top Channel