Arsimi privat ka rritur tarifat e studimit, një rritje që ka nisur që prej vitit 2022 e ka kulmuar me 2.3% në shtator të 2023, tregojnë të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave.

Rritja e pagave të mësuesve, kostot e shtuara të ushqimit, kostot e mjeteve mësimore në shkolla kanë bërë që nxënësve të privatit t’u kushtojë çdo vit edhe më shtrenjtë arsimimi. Por shërbimi arsimor jopublik mund të rris edhe më tej çmimet, pasi Ministria e Financave hodhi idenë për të rikthyer tvsh 20% të arsimit privat, gjë që po kundërshtohet nga shoqata e shkollave jopublike të Shqipërisë.

“Marzhet e fitimit në arsimin privat nuk mundësojnë asnjë marrje përsipër të barrës së tvsh-së nga vetë shkollat. Rrjedhimisht e gjithë barra do t’i kalojë prindërve, gjë që do të shkaktojë pakënaqësi të jashtëzakonshme mbi familjet e 82.500 nxënësve të arsimit privat”, shpjegon Ermal Hasimja, kryetar i Shoqatës së Shkollave jopublike të Shqipërisë.

Nga kopshtet deri të universitetet, drejtuesit e institucioneve arsimore private janë bërë bashkë duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe të Financave të mos e miratojnë këtë propozim, pasi rekomandimi i FMN-së se aplikimi i tvsh nuk do të paraqesë problem sepse në shkollat private arsimohen të pasurit, sipas tyre nuk është i vërtetë.

“Shkollat private aktualisht dhe në përgjithësi arsimojnë fëmijët e shtresave të mesme, mjekëve, inxhinierëve. Shqipëria nuk ka dhjetëra mijëra të pasur”, thotë Hasimja.

Ermal Hasimja, kryetari i shoqatës së shkollave jopublike vlerëson se ky është momenti më i gabuar për rikthimin e tvsh, sepse do të ishte goditja e radhës për arsimin privat.

“Direktiva e Bashkimit Europian përcakton se shtetet anëtare nuk do të aplikojnë tvsh për arsimin privat, madje e kanë aleat atë”, tregon kryetari i Shoqatës së Shkollave jopublike të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA