
Ekipi i Top Channel ndodhet në frontin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Aktualisht korrespodenti ndodhet në spitalin e Ashkelon, qytet i ndodhur në jug të Izraelit, i cili është bombarduar ditët e fundit, pas sulmeve intensive me raketa.
Siç shihet nga pamjet gjithçka është shkatërruar, ka xhama të thyer, dyer të rrëzuara, dhe mure të shembura nga bombardimet.
Ashkeloni, i ndodhur në jug të Izraelit është nën sulm të raketave ndërsa militantët palestinezë vazhdojnë të lëshojnë me breshëri nga Gaza.
Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit , Abu Ubaida u tha banorëve të portit izraelit të Ashkelon që të largoheshin nga zona deri në orën 17:00 (14:00 GMT) të martën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, sirenat janë dëgjuar në Tel Aviv, duke paralajmëruar për raketa të mundshme në hyrje, tha ushtria izraelite.
Izraeli ka goditur Gazën me sulmet më të ashpra ajrore në historinë 75-vjeçare të konfliktit të tij me palestinezët që kur Hamasi filloi një inkursion vdekjeprurës në Izrael të shtunën.
Numri i të vdekurve në Gaza ka shkuar në 830, sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, e cila thekson se 4000 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar në Gaza.
Nga ana tjetër, të paktën 123 ushtarë izraelitë ishin mes 900 viktimave të raportuara në sulmet e Hamasit këtë të shtunë, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, admiral Daniel Hagari.
Hagari shtoi se familjet e 50 pengjeve izraelite janë kontaktuar nga forcat e sigurisë. Hamasi ka pretenduar se ka mbajtur më shumë se 100 robër, duke përfshirë oficerë të ushtrisë izraelite.
Top Channel