Shqipëria, anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut/ Hasani: Arritje e diplomacisë së jashtme shqiptare

10/10/2023 17:55

Shqipëria u zgjodh sot anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026.

Pas votimit me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria bëhet për herë të dytë anëtare në këtë Këshill.

Lajmin e dha përmes një postimi në rrjetin social “X”, ministri i Jashtëm Igli Hasani, që e cilëson si një arritje të madhe të politikës dhe diplomacisë së jashtme shqiptare.

Një tjetër demonstrim i besimit nga shtetet anëtare të OKB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare. Këtë herë plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e Të Drejtave të Njeriut kudo dhe për të gjithë“, shkruan Hasani.

Objektivi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të tëDrejtave të Njeriut do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd.

Vendi ynë do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet e tjera anëtare të OKB-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve.

Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA