Një mësuese në Britani përballet me dëgjesa të ‘aftësisë për të praktikuar profesionin’ pasi refuzonte t’i mësonte fëmijëve materiale LGBT, që sipas saj nuk përputheshin me besimin e saj fetar.
43 vjeçarja Glawdys Leger, u shkarkua nga posti i mësueses së gjuhëve të huaja moderne në shkollën Bishop Justus CofE në jug të Londrës në maj, pasi refuzonte t’i mësonte fëmijëve të klasës së 7-të materiale LGBT.
Zonja Leger, e cila ka dhënë mësim aty prej vitit 2017, u tha nxënësve se besonte se praktikat LGBT janë ‘mëkat’ dhe se njerëzit lindin ose femër ose mashkull, dhe asnjë të ndërmjetme apo të ndryshueshme, siç po mësohet së fundmi në Perëndim.
Ajo u raportua në bordin rregullator pasi besohet se një nxënës është zemëruar nga pikëpamjet e saj.
Tashmë zonja Leger u përball me një dëgjesë të ‘përshtatshmërisë për praktikimin e mësimdhënies’, shkruan rrjeti MailOnline.
Pas dëgjesës ajo raportohet se tha: “Pasojat e kësaj që ndodhi kanë qenë të konsiderueshme për mua. Mendimi se mund të humbisja karrierën prej besimeve të mia kristiane është zemërthyes”.
“Më trajtuan si kriminele sepse shpreha besimet e mia kristiane, kur unë kam shumë simpati për njerëzit LGBT që vuajnë nga konfuzioni i gjinive”.
“Unë nuk mundem të mësoj gjëra që bien ndesh me besimet e mia fetare, si për shembull të them se marrëdhëniet mes të njëjtit seks janë të mira, apo të inkurajoj njerëz që janë në konfuzion të identitetit të tyre gjinor”.
Mes ideve që ajo duhet të kalonte te fëmijët e shkollës në lëndën e ‘edukimit fetar’ ishte dhe sugjerimi absurd se “njerëzit mund të lindin në trupin e gabuar” dhe të inkurajonte fëmijët të hynin në “grupe të njerëzve të pazakontë apo homoseksualë”.
Mësueses i ishte kërkuar dhe të mbronte abortin dhe ‘teorinë kritike të racës’.
Një zëdhënës i grupit rregullator tha se “ne promovojmë vlerat britanike si respekti dhe toleranca ndaj atyre me besime të ndryshme, por për arsye të hetimit në vijim nuk mund të komentoj më shumë”.
Top Channel