Forcat e armatosura izraelite njoftuan se kanë goditur gjatë natës mbi 500 objektiva të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës, me sulme ajrore dhe zjarr artilerie.
Numri i ri i vdekjeve izraelite është 700. 2500 janë të plagosurit, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. 750 të zhdukurit, të paktën 100 prej të cilëve janë pengje në duart e Hamasit në Gaza, mes tyre edhe shtetas amerikanë e gjermanë. Në mesin e palestinezëve llogariten 436 të vrarë, ndër të cilët 91 fëmijë.
Sipas Washington Post, SHBA pret që Izraeli të nisë një operacion masiv tokësor kundër Hamasit në Gaza në 24-48 orët e ardhshme. Ka ende 6 zona në jug të Izraelit pranë kufirit ku luftimet me militantët e Hamasit vazhdojnë të ashpra. Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari, përmendi Beeri, Kfar Aza, Nirim dhe Alumim sip ikat ku militantët kanë vazhduar të kalojnë kufirin, jo vetëm në ditën e sulmit por edhe në vazhdim. Vetëm mbrëmë tha ai, 70 terroristë hynë në këtë mënyrë në Izrael.
Kryebashkiaku i Sderotit, një nga qytetet më të goditura, thotë se e vetmja mënyrë për t`i dhënë fund kësaj situate është goditja e krerëreve të grupeve militante palestineze.
“Ne duhet të hyjmë në Gaza e të shkatërrojmë Hamasin e Xhihadin Islamik. Duhet të vrasim lidershipin e tyre. Nëse vendit dhe qeverisë i duhet kohë për ta bërë këtë, atëjerë do të rrijmë brenda qoftë edhe për dy muaj derisa ushtria të bëjë detyrën e saj në Gaza e të shkatërrojë kryesimin e këtyre organizatave”, u shpreh Alon Davidi, Kryebashkiaku i Sderotit.
Me mbi 1000 të vrarë nga të dyja palët, të plagosur, pengje e shkatërrime kudo, sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken e cilësoi këtë si sulmin më të egër ndaj Izraelit që prej luftës së yom Kippurit, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e cila njihet gjithashtu si Lufta e Tetorit. Arsyet e sakta të sulmit të Hamasit nuk janë të qarta, por dhuna mes dy palëve ka qenë në rritje prej muajsh. Komandanti i Hamasit, Mohammed Deif, u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të grupit kundër Izraelit.
Por, është e paqartë nëse palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij. Irani ndërkohë e mohoi përfshirjen në këtë sulm, edhe pse dy anëtarë të Hamasit dhe Hezbollahut i thane Wall Street Journal se gjakderdhja ishte planifikuar në takime me Gardën Revolucionare Islamike që në muajin gusht.
“Mbështetja jonë për Palestinën mbetet e palëkundur; megjithatë ne nuk jemi të përfshirë në reagimin e saj; këto janë vendime të cilat i takojnë vetëm Palestinës vetë”, deklaroi kreu i misionit të iranit në OKB. Blinken e pohoi edhe ai se zyrtarët amerikanë nuk kanë parë ende provaqë të dëshmojnë se Irani qëndron pas sulmeve, por ky vend ka qenë prej kohësh armik i Izraelit dhe mbështetës i grupeve xhihadiste në rajon.
Lajmi vjen pasi presidenti i Iranit u bëri thirrje vendeve myslimane që t’i bashkohen sulmeve ndaj Izraelit. Ebrahim Raisi, i cili bisedoi me liderët e Hamasit të dielën, u shpreh republika islamike mbështet të drejtën e Gazës për vetëmbrojtje dhe bëri thirrje që Izraeli të konsiderohet përgjegjës për vënien në rrezik të mbarë rajonit.
Top Channel