Ka filluar zyrtarisht pasditen e djeshme grumbullimi i Kombëtares me lajmin jo të mirë të mungesës së Ardian Ismailit për shkak të dëmtimit.
Ndërkohë në mesditën e së hënës është kompletuar grumbullimi e të gjithë lojtarët e thërritur nga trajneri Sylvinho.
Në konferencën e parë për shtyp nga “Shtëpia e futbollit” ishte mesfushori Ylber Ramadani dhe sulmuesi Taulant Seferi. Mesfushori kuqezi që aktivizohet tek Lece në Serinë A ka vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje.
Për sulmuesin kuqezi të Kombëtares, Taulant Seferi, konkurrenca në ekip nuk është aspak problem. Ai vlerëson grupin kuqezi, ndërsa thekson se skuadra është e fortë, e karikuar dhe e fokusuar maksimalisht për ‘finalen’ ndaj Çekisë.
Shqipëria do të vazhdojë grumbullimin për gjatë këtyre 4 ditëve deri në përballjen e 12 tetorit, një ndeshje kaq e rëndësishme për objektivin tonë që është kualifikimi për në finalet e Europianit Gjermani 2024.
Top Channel