Në një takim trepalësh në rezidencën “Evksinograd” pranë qytetit të Varnës në Detin e Zi kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë kanë biseduar për zhvillimin e rajonit të Evropës Juglindore, në aspektin e transportit, energjetikës dhe lidhjes digjitale.
Takimi u fokusua në krijimin e një korridori të ardhshëm Greqi-Bullgari-Rumani nga Selaniku nëpërmjet Kavalës, Aleksandoupolis, Burgas dhe Varnës deri në Konstancë, me një shtrirje të mundshme në Moldavi. Ideja është të ndërtohet një infrastrukturë moderne e transportit, komunikimit dhe energjisë përgjatë kësaj rruge për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike të vendeve pjesëmarrëse.
“Europa nuk ka më luksin të jetë e shkëputur , të mos ketë rrugë që lidhin vendet fqinje, të mos ketë rrjete energjetike dhe kështu të jetë e varur nga faktorët e jashtëm”, tha Nikolai Denkov, kryeministër i Bullgarisë.
“Diskutuam me Bullgarinë dhe Greqinë për sigurinë e rajonit dhe nënvizuam rëndësinë strategjike të Detit të Zi përsa i përket sigurisë euroatlantike”, tha Ion-Marcel Ciolacu, Kryeministër i Rumanisë.
Projekte të tilla si përmirësimi i gazsjellësit Greqi-Bullgari-Rumani janë jashtëzakonisht kritike- ka thënë kryeministri grek Mitsotakis- duke shtuar se Greqia luan dhe aspiron të luajë një rol qendror në ndërlidhjen energjetike mes tre vendeve apo fqinjët e tjerë veriorë ballkanikë , me të cilat ka një vit që ka katërfishuar eksportet e gazit natyror.
“Së shpejti, siç e dini, do të hapim terminalin e ri lundrues LNG në Aleksandropolis. Ne do të vazhdojmë të investojmë në burimet e rinovueshme. Gjithashtu dëshirojmë ta kthejmë të gjithë rajonin në një qendër të konektivitetit ndërkombëtare për transportimin dhe eksportin e energjisë së gjelbër”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Margaritis Schinas si dhe Komisionerja Evropiane për Transportin Adina Valean të cilët kanë theksuar se “aderimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen do të rriste nivelin e sigurisë në rajon”, ndërsa një korridor i ri, i cili lidh Detin Baltik, Detin e Zi dhe Egjeun me bashkëpunimin e tre vendeve do të kishte rëndësi në aspektin strategjik për t’u lidhur me tregun evropian veçanërisht në kontekstin e asaj që po ndodh në Ukrainë dhe Izrael.
Top Channel