Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg në një intervistë ekskluzive për emisionin e Top Story në Top Channel tha se Hamasi goditi Izraelin në një moment të befasishëm, por tashmë ata ose do të humbasin ose do të tërhiqen.
Peleg: Ata nuk mund të na shkatërrojnë, nuk është çështja e një ushtrie që sulmon një vend me qëllimin për ta pushtuar, por ka edhe diçka tjetër, sot në vitin 2023 situata në rajon është krejt ndryshe, kemi paqe me dy prej fqinjëve tanë, me Egjiptin dhe me Jordaninë që janë aktorë shumë të rëndësishëm në rajon, kemi marrëveshje paqeje që janë nënshkruar me vendet arabe, Emiratet Arabe, gjithashtu dëgjuam edhe liderin e Arabisë që fliste me tone pozitive. Prandaj nuk mendoj se Hamasi ka mbështetje për atë që bëri në rajon. Ata organizuan këtë sulm të befasishëm, na sulmuan, por nuk kishin mundësi që të vazhdonin, na goditën fort, por ose do të humbasin ose do të tërhiqen.
Duma: Mund të jepet një përgjigje pse në këtë moment?
Peleg: Data që zgjodhën ndjek të njëjtën logjikë të para 50 vitesh, të godasim kur kemi një festë, sot goditën në një festë tjetër të këndshme kur familjet mblidhen së bashku, zgjedhja e një dite pushimi, feste, është i ngjashëm me sulmin e para 50 viteve. Hamasi nuk është i kënaqur me zhvillimet e rajonit, se si Izraeli po afrohet me botën arabe, Hamasi mendon se nuk mund të fitojë gjë kur ne krijojmë marrëdhënie shumë të mira dhe ekonomike. Mendoj se janë të shqetësuar me zhvillimin pozitiv dhe duan të godasin për të treguar se Hamasi vijon të ekzistojë dhe të tronditë sistemin.
Top Channel