Deklarata homofobike e kryebashkiakut pas rizgjedhjes në krye të Volosit, Prokuroria kërkon hetim!

09/10/2023 11:59

Prokuroria e Gjykatës së Lartë ka kërkuar këtë të hënë hetim paraprak për deklaratat homofobike të kryebashkiakut të Volosit, Achillea Beos, ndaj liderit të SYRIZA-s, Stefanos Kasselakis dhe homoseksualëve.

Ndërhyrja e prokurorisë ka ardhur pas kërkesës së partisë më e madhe opozitare Syriza në lidhje me komentet vulgare homofobike të zotit Beos. Pasi është zgjedhur përsëri triumfalisht me 55% në krye të bashkisë në një fjalim para mbështetësve të tij ai ka thënë ndër të tjera:

“Unë si person jam ai që njihni, flas gjuhën e së vërtetës, ju shikoj në sy dhe përballem me të gjitha problemet dhe shprehem lirisht siç thotë Kushtetuta jonë. Unë jam një nga ju. Greqia u drejtua nga mjekë dhe juristë, ata e varfëruan vendin tonë dhe popullin grek dhe në vend që gazetarët të qëndrojnë përpara fakteve, merren me Kasselakis. Kasselakis tha se meqenëse nuk di si t’i të sillet me vajzat, do të donte të birësonte dy djem. Çfarë do të thuash more, me kanalet televizive që të prezantojnë? Se ne, pjesa tjetër e grekëve, do të birësojmë fëmijë për të riprodhuar pushta?’ Ky është atdheu im? Kjo është Greqia ime?”

Deklaratat homofobike të tij janë dëgjuar nga gjithë grekët, pasi ky moment i fjalimit të tij transmetohej drejtpërdrejt nga gjithë kanalet televizive.

“Ne presim që prokurori kompetent të ndjekë penalisht këtë shkelje të ligjit antiracist sipas të cilit duhet të dënohet kushdo për gjuhën e urrejtjes pasi me dashje nxit, provokon akte ose veprime që mund të shkaktojnë diskriminim, urrejtje ose dhunë ndaj një personi ose grup personash të identifikuar në bazë të racës, ngjyrës ose orientimit seksual në një mënyrë që rrezikon rendin publik“, shkruhet në deklaratën e opozitës.

Vetë lideri i SYRIZA-PS, Stefanos Kasselakis në deklaratën e tij pas rezultateve të zgjedhjeve, tha: “Νë lidhje me komentet e zotit Beos, kam pak për të thënë. Ato janë mjaft të dukshme. Unë thjesht do t’i bëj thirrje drejtësisë, siç bëj gjithmonë, që më në fund të bëjë punën e saj edhe për këtë çështje”.

Megjithëse ka pasur mbështetje jo të dukshme të Partisë Konservatore, shumë zyrtarë të kësaj partie i kanë dënuar deklaratat e kryebashkiakut të rizgjedhur të Volosit, i cili është shfaqur i papenduar edhe në orët në vazhdim. Reagime të mëdha ka pasur edhe nga partitë e tjera politike si dhe nga opinioni publik në mediat sociale, jo vetëm për pikëpamjet homofobike të kryebashkiakut, por edhe të mbështetësve të tij, që e brohoritën dhe e duartrokitën për gjuhën e urrejtjes që ai përdori në fjalimin e fitores së garës elektorale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA