Basha në Fier: Të rinjtë të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe t’i dëgjohet zëri

08/10/2023 12:13

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e tij në Fier e ka nisur me të rinjtë e këtij qyteti, me të cilët ka biseduar për të marrë mendimet dhe propozimet që ata kanë për ndryshimin e situatës.

Basha ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Sipas kreut demokrat, Partia Demokratike e Shqipërisë është e hapur për ta, si mjet në duart e tyre, për të mundësuar ndryshimin që presin të gjithë.

“Mëngjes i bukur me rininë e Fierit, për të dëgjuar mendimet dhe propozimet e tyre mbi ndryshimet që ata kërkojnë që të bëhen pjesë e vendimmarrjes, që zëri i tyre të dëgjohet dhe ambiciet e tyre të mos shkelen nga mungesa e garës dhe meritokracisë. Ata duan t’u jepen mundësi për të realizuar potencialin dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen, mundësi për arsim cilësor, punësim, inkurajim të shpirtit të tyre sipërmarrës dhe një jetë më të mirë. Të jenë të lirë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, pranë familjarëve dhe miqve të tyre, e jo nëpër botë.

Angazhimi dhe përfshirja e të rinjve në jetën publike, nis duke u kthyer atyre besimin te politika. Ata do të jenë protagonistë kur modeli që ne do ofrojmë do jetë ai i një politike që u shërben njerëzve, e jo anti-modeli i ndërtuar mbi shantazhin, kërcënimin, baltosjen, korruptimin dhe kriminalizimin. Partia Demokratike e Shqipërisë është e hapur për ta, si mjet në duart e tyre, për të mundësuar ndryshimin që presin të gjithë”, shprehet Basha.

Pas bisedës me të rinjtë Basha,  gjatë paradites takoi e bisedoi me qytetarë e sipërmarrës të qytetit të Fierit.

Qytetarët i thanë Bashës se papunësia është një problem i madh edhe në Fier. Vetëm gjatë vitit të shkuar,  sipas  të dhënave të Eurostat rreth 74 mijë shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Numri i lejeve u rrit 34%. Natyrisht këtu nuk përfshihen një numër edhe më i madh qytetarësh të cilën nuk kanë mundur të marrin leje qëndrimi.  Një në pesë shqiptare jeton  me më pak se 5.5 dollare në ditë.

Në postimin e tij ne Facebook, Basha shkruan:

“Në qytetin e Fierit u takova  dhe bisedova me qytetarë dhe sipërmarrës. Përkeqësimi i situatës ekonomike ka rritur emigracionin në Fier ashtu si në të gjithë vendin. Shqetësimet e qytetarëve lidhen me çmimet e larta të ushqimeve, tarifave, naftës, gazit, energjisë.  1 në 3 familje nuk kanë mundësi të përdorin naftën, gazin apo energjinë elektrike për transport, ndriçim apo ngrohje gjatë dimrit duke e bërë edhe më të vështirë situatën për mijëra familje.

Shqipëria më e varfëra në rajon, renditet ndër vendet më të korruptuara të botës.  Vetëm afera e inceneratorëve, viktimë e së cilës është dhe Fieri, iu kushton shqiptarëve 430 milionë euro. Para të cilat vidhen, ndërkohë që qytetet tona mbulohen nga smogu, mbushen me plehra, sepse e gjitha është veçse një skemë mashtrimi, vjedhje dhe shfrytëzimi.

Prandaj lufta kundër korrupsionit është për Partinë Demokratike prioriteti kryesore. Ne mbështesim dhe inkurajojmë SPAK-un ti shkojë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar që po varfërojnë dhe zbrazin Shqipërinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA