Deputeti britanik filmohet duke spiunuar e kërcënuar qiraxhien që kërkon të dëbojë nga shtëpia (fotot)

07/10/2023 15:42

Deputeti britanik i konservatorëve në pushtet Gary Streeter është regjistruar duke thyer kamerat e shtëpisë që ka dhënë me qera, pasi përpiqet të dëbojë prej saj gruan që banon aty.

Konflikti duket se lindi nga kritikat e qiraxhies për politikat e qeverisë së tij gjate kohës se izolimit.

Layla Williams ishte punësuar nga Streeter për t’u kujdesur për kuajt e fermës së tij në Devon në Anglinë jugperëndimore.

38 vjeçarja Williams, u vendos në shtëpinë përdhese të politikanit në vitin 2018, por marrëdhënia e tyre miqësore u përkeqësua në kohën e p andemisë.

Qiraja e saj ishte fillimisht 700 paundë në muaj por më vonë politikani e kishte reduktuar në £550.

Deputeti është gjithashtu zv. drejtor i agjencisë së pronave Rentplus-UK, ndërsa gruaja e tij Janet Streeter, punon part-time si kërkuese studimore parlamentare, sipas të dhënave zyrtare.

Atij nuk i kërkohet të regjistrojë të ardhurat nga shtëpia me qera pasi sipas rregullit, nuk kalon shumën prej £10,000 në vit, te pragut të “të ardhurave të konsiderueshme”, shkruan Daily Mail.

Por pamje të publikuara dje tregonin deputetin e parlamentit që prej vitit 1992, që shkulte kamerat jashtë shtëpisë së Williams.

Nëna e një fëmije pranon se nuk ka paguar qiranë prej janarit ndërsa thotë se i zoti i shtëpisë i ka kërkuar djalit të saj 12-vjeçar të dalë nga shtëpia, me tone kërcënuese.

Ajo më pas kishte instaluar kamerat e sigurisë që e regjistruan pronarin duke i shkulur.

Duke folur me rrjetin vendas MailOnline, zonja Williams tha se kishte nisur të punonte për pronarin prej vitit 2016, duke u kujdesur për kuajt dhe stallat e familjes.

Ajo tha: “Fillimisht kishim një marrëdhënie të mirë, nuk i takoja shpesh por punoja aty dhe nuk kishim probleme”.

Gruaja thotë se problemet nisën në 2020 kur shprehte opinione të ndryshme nga deputeti për reagimin e qeverisë ndaj masave te  pandemisë dhe izolimeve, duke thënë se ishte prishur me Streeter.

Ajo shtonte: “Ai tha ‘nuk mund të të mbajmë këtu nëse mendon kundër nesh’, dhe më kërkoi të largohesha brenda dy muajsh”.

“Më dërgoi një letër ku tha se nuk donte të punoja më për të, pasi nuk donte njerëz ‘me opinione të tjera’”.

Pas kërcënimeve Williams tha se kishte raportuar deputetin në policinë e Devon për dëmtime kriminale dhe ngacmime. Ajo është ende duke pritur një përgjigje.

Në të tjera video të publikuara burri shihet që tenton të dëmtojë kamerat me një shkop, dhe më pas duke tentuar t’i rivendoste në vend pasi i kishte flakur.

Në pamje zoti Streeter shihet që hyn në oborrin e shtëpisë së qiraxhies së tij duke parë brenda nga dritaret, bashkë me gruan e tij.

Streeter thotë se ka siguruar një urdhër largimi nga gjykata e Plymouth dhe se do të marrë përmbaruesit nëse ajo nuk e bën së shpejti.

Ai mohon ngacmimet dhe thotë se kërkon urdhrin sepse ajo nuk ka paguar qeranë.

Zonja Williams thotë se tashmë ka gjetur një banesë tjetër dhe do të largohet, por donte të bënte publik trajtimin që iu bë nga deputeti konservator.

Williams, e cila ka jetuar gjithë jetën në zonën e Plympton tha: “Nganjëerë ka qenë e frikshme kur mendoja që ai vinte të shihte nga dritarja, kur mund të isha dhe në krevat”.

Policia e Devon e Cornwall ende nuk ka komentuar mbi pretendimet.

FOTO GALERI
4/6
Ajo shtonte: “Ai tha ‘nuk mund të të mbajmë këtu nëse mendon kundër nesh’, dhe më kërkoi të largohesha brenda dy muajsh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA