Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në klinikën dentare/ Prokuroria Tiranë nis hetimet për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor

06/10/2023 10:18
Prokuroria e Tiranës

Analizat mjekoligjore dhe rezultatet e autopsisë do të japin fjalën e fundit në lidhje me shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu, 3 ditë pasi kreu një procedurë stomatologjike me anestezi totale në një klinikë private në kryeqytet.

Ndërkohë familjarët e vogëlushit fajësojnë mjekun për mbidozim narkoze që i solli nxjerrjen nga funksioni të mëlçisë dhe insuficencë renale, mjeku Xhaxho nxjerr një tjetër shkak për humbjen e jetës së vogëlushit.

“Fëmija ka dalë i zgjuar nga klinika. Procedura ka zgjatur 4 ore nuk ka të bëjë me narkozën. Nga sa informacion kam marrë nga analizat që i janë bërë niveli i glukozës dhe i lipideve kanë qenë zero. Për mua besoj se është sindromë metabolic hipoglicemik nga mungesa e ndonjë enzime”, tha mjeku Xhaxho.

Por nga kartela e fëmijës e cila tashmë është në duart e prokurorisë që Top Channel disponon rezulton se nga analizat e kryera në klinikën private glicemia nuk është  vlerësuar dhe në këto kushte do të shihen protokollet mjekësore nëse lejohej futja në anestezi në këto kushte.

Mbi debatet e ngritura për rastin se a duhej që një fëmijë ti nënshtrohej anestezisë së plotë dhe kurimit të 14 dhëmbëve, në një prononcim për Top Story mjeku tha se kjo ishte e nevojshme për gjendjen shëndetësore të tij.

“Fëmija është operuar përpara 2 viteve në zemër. Është pacient kardiak dhe është e nevojshme evidentimi i çdo vatre infeksioni. Fëmija kishte infeksion të rëndë dhe duhej të kurohej brenda një seance”, tregoi mjeku.

Ndërkohë prokuroria e kryeqytetit po vijon hetimet për neglizhencë mjekësore ndaj mjekut anestezist Roland Xhaxho, i cili është njëherësh edhe pronar i klinikës.

Top Channel