Tanku del në qendër të Londrës për të sfiduar taksimet e kufizimet ‘ambjentaliste’ të lëvizjes së automjeteve nga bashkia (fotot)

06/10/2023 15:34

Një tank klasik i ushtrisë territoriale britanike duket se ka sfiduar kufizimet e kontestuara të lëvizjes të vendosura nga krye-bashkiaku Sadiq Khan të njohura si rregullacioni ‘ULEZ’, duke dalë dje në qendër të zonës turistike të Londrës.

Tanku jeshil britanik u filmua dje duke uturitur në rrugët e kryeqytetit, teksa kalimtarët e habitur bënin foto.

Ndërsa të tjerë ishin të pakënaqur me shfaqjen, si një grua që tundte dorën para fytyrës duke u ankuar për tymrat e motorit, shkruan rrjeti vendas Daily Mail.

Gjithsesi tanku i ushtrisë nuk përfshihet te mjetet “ndotëse” që duhet të paguajnë tarifën 12.50 paundë për të hyrë në qendër, pasi viti i tij i prodhimit është para 1965 dhe kështu konsiderohet ‘makinë klasike’, shkruan Daily Mail, duke shtuar se në këtë klauzolë përfshihen të gjitha makinat më shumë se 40 vjeçare.

Tanku i modelit Abbot Self-Propelled kishte dy shoferë në drejtim, të cilët shoqëroheshin dhe nga dy vajza të ulura mbi kullën e tij, që mbanin syze dielli dhe veshje elegante.

Për fat mjeti ushtarak respektonte rregullat e qarkullimit duke ndaluar në semaforin e kuq dhe duke ndezur sinjalin para se të merrte kthesë.

Tanku i përket një kompanie koleksionistësh të quajtur Tanks-A-Lot, por xhiroja e tij e djeshme duket se ishte pak më shumë se një shfaqje zbavitjeje.

Londra është përfshirë nga protesta të shumta kundër rregullacioneve kufizuese ULEZ që prej zgjerimit të tyre në gusht, si dhe akte vandalizmi ndaj kamerave e mjeteve monitoruese që identifikojnë automjetet shkelëse.

I njëjti tank kishte dalë në atraksionet turistike të Londrës dhe më 18 gusht kur kufizimet e lëvizjes së qytetarëve nuk ishin aktivizuar ende.
Nje muaj me pare …

Tanku Abbot Self-Propelled Gun ka hyrë në shërbim me ushtrinë në 1965 para se të zëvendësohej nga modeli AS-90 në vitet 1990.

Një xhiro ditore me të raportohet se kushton rreth 5000 paundë.

Ndërkohë protestat e shoferëve Anti-ULEZ kanë përfshirë dhe shtëpinë e kryebashkiakut Khan kësaj jave, duke kundërshtuar skemën e super-taksimit.

Automjetet e protestës ishin të mbushura me slogane si “A po na dëgjon zoti Khan”; ‘Ulez justifikohet vetëm me gënjeshtra” si dhe “Mjaft me gënjeshtrat e ajrit toksik”.

Në të tjera mesazhe të protestës thuhej ‘rezisto, sfido, mos prano”.

FOTO GALERI
4/6
Tanku jeshil britanik u filmua dje duke uturitur në rrugët e kryeqytetit, teksa kalimtarët e habitur bënin foto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA