Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të premten se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.
ZPS-ja theksoi se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar në qendrën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake së shpejti.
Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.
“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan për shkeljet e kryera kundër administratës së drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale…pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.
Në arrestimin e tyre ndihmuan edhe Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës në përputhje me legjislacionin e Kosovës, tha ZPS-ja.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr tejet seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë ta ndjekë këdo që përfshihet në çdo instancë”, tha ajo.
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL
Top Channel