Duhej të ishte thjesht një ndeshje futbolli, por ajo mes AZ Alkmaar dhe Legias së Varshavës duket se do të vijojë gjatë, Shkak u bënë incidentet e shumta të shkaktuara nga tifozeria polake, që dhunoi disa nga stjuardët dhe forcat e policisë.
Megjithatë holandezët pretendojnë që edhe sjellja e futbollistëve të Legias së Varshavës ishte larg qytetarisë dhe akuzuan klubin polak si një partner i pabesueshëm për organizime të tilla.
Menjëherë pas ndeshjes policia holandeze arrestoi dy futbollistë të Legias, serbin Pankov dhe portugezin Josue, të cilët u morën me forcë nga autobusi i ekipit.
Burime pranë policisë holandeze bëjnë me dije se ndaj dy futbollistëve rëndon akuza e sulmit ndaj stjuardëve, të cilët mbyllën stadiumin pas ndeshjes për arsye sigurie, por lojtarët e Legias thyen dyert dhe dolën nga aty për të shkuar te autobusi.
Gjatë orëve të pasdites policia holandeze ka lënë të lirë portugezin Josue, i cili ka dhënë dëshminë e tij për rastin, por vijon të mbajë në burg serbin Pankov, për të cilin nuk është marrë ende një vendim.
“Ne kishim folur shpesh me klubin e Legias gjatë kësaj kohe, për të organizuar të mënyrën më të mirë këtë ndeshje, duke qenë se jemi edhe në prag të një feste të qytetit. Ata na premtuan se do të kujdeseshin në detaje, për të na ndihmuar, por dëshmuan se nuk janë një partner i besueshëm për organizime të tilla. Që në fillim ultrasët polakë shkatërruan qytetin dhe përgatitjet për festën 450-vjeçare. Më pas thyen hyrjen për të stadium, duke plagosur dhe lënë pa ndjenja njërin prej stjuardëve. Si të mos mjaftonte kjo, edhe sjellja e futbollistëve e drejtuesve ndaj stjuardëve brenda stadiumit, ishte larg qytetares dhe me një sërë incidentesh”, thuhet në reagimin e klubit holandez.
Për ngjarjen reagoi edhe Ministri Holandez i Drejtësisë, i cili dha detaje, duke thënë se dy futbollistët e arrestuar u përfshinë në incidente dhe hodhën poshtë akuzat e presidentit të Legias./ Super Sport
Top Channel