Pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u miratua vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që llogaritet nga INSTAT, rezultoi në masën 8.6%.
Me çmimet e rritura dhe shpenzimet e larta që kanë në muaj, për pensionistët është e pamjaftueshme kjo rritje e pensioneve për të përballuar jetesën.
“Marrim 160 mijë lek, mos të jetë emigracioni ne kemi marr fund”, tha një pensionist.
“Shumë pak, rritje qesharake bëhet për ne, del një deputet në pension dhe e ka mbi 1 milion, pse duhet ta ketë aq shumë”, tha një tjetër pensionist.
“Mirë është por nuk është atje ku duhet, ne nuk ndiejmë gjë nuk na përmirëson gjë. Ne që marrim 150 mijë lek ajo shtesë nuk na bën asgjë”, tregon një tjetër.
Ndërsa inflacioni për ushqimet vijon të mbetet në nivele të larta me rritje deri në 10% në muaj, qeveria ka vendosur të ndërhyjë dy herë gjatë këtij viti. Fillimisht duke i dhënë atyre një bonus në muajin prill nga taksa e jashtëzakonshme mbi energjinë dhe tanimë me indeksimin e tyre me 8.6%, sipas normës së paraqitur nga INSTAT. Kjo do të thotë një rritje nga 800 deri në 3000 lekë për pensionistët nga 1 tetori.
Por ekspertët mendojnë se ka nevojë për një rritje reale.
“Janë para që në mënyrë direkte ose indirekte i rikthehen arkës së buxhetit të shtetit. Nëse pensionisti merr 2 mijë lekë të reja shtesë do t’i konsumojë në ushqime dhe në ilaçe dhe si pasojë do t’i ngelen ekonomisë shqiptare dhe ato do taksohen dhe do ritaksohen. Do taksohen se do merret për çdo produkt tatimi mbi vlerën e shtuar, do bëjnë xhirot e biznesit dhe ka taksa të tjera. Pra në fakt nuk ka ndonjë problem nga rritja e pensioneve përkundrazi edhe po t’i rrisnin më shumë më mirë do bënin”, tha Mateo Spaho, ekspert ekonomie.
Për shkak të pensioneve të ulëta, shifrat e tregut tregojnë se në gjashtë mujorin e parë të këtij vitit rreth 17 mijë prej tyre ishin ende të punësuar edhe pas moshës së pensionit. Ndërkohë qeveria ka bërë edhe një ligj për të lehtësuar pagesën e kontributeve për të gjithë pensionistët e vetëpunësuar dhe që janë kryefamiljarë.
Top Channel