Prej më shumë se 45 vitesh, portit të peshkimit në Vlorë nuk i bëhet asnjë investim.
Problem për peshkatarët që e kanë të lidhur jetën me Triportin mbetet mungesa e një kantieri për riparimin e anijeve, ndërsa me një flotë prej më shumë se 80 mjetesh lundrimi të licencuara, funksionojnë vetëm 20.
“Mungesa e një kantieri është shumë problem, pasi duhet të shkojmë në Pashaliman për të bërë riparime anijeve ose në Durrës”, tha peshkatari Buran Serjani.
“Asnjëherë nuk ka pasur investime në këtë port që kur është ndërtuar, dhe shumë vështirë të punohet këtu”, tha peshkatari Hysen Lato.
Po ashtu shumë anije të mbytura qëndrojnë në det, duke rrezikuar peshkarexhat e tjera apo duke bllokuar punën.
Ndërkohë pranë Triportit prej një viti e gjysmë është ndërtuar një merkato për magazinimin e peshkut, e cila edhe pse u inaugurua nuk është vënë asnjë ditë në punë.
“Nuk e dimë për çfarë u ndërtua merkatua e peshkut e cila po amortizohet pasi nuk është vendosur asnjëherë në funksion”, tha Lato.
Mosha mesatare e peshkatarëve është 60 vjeç ndërsa pak të rinj zgjedhin këtë punë. Sot në Triport gjen shumë të huajt nga Egjipti.
Top Channel