3-vjeçari vdiq pas ndërhyrjes në klinikë, reagon mjeku: Djali doli nga klinika i zgjuar! Profesionalisht bëra maksimumin

05/10/2023 21:06

Mjeku anestezist- kardiolog, Roland Xhaxho ka reaguar pas vdekjes së 3-vjeçarit, i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes në klinikën e tij private në Tiranë.

Ai shprehet se procedura e ndërhyrjes ka qenë sipas protokolleve ndërkombëtare, ndërsa thekson se djali ka dalë i zgjuar nga klinika.

DEKLARATE PER SHTYP!

Unë jam Profesor Roland Xhaxho, anestezist reanimator prej më shumë se 40 vjetësh. Detyra dhe misioni im ka qenë dhe është në çdo moment, SHPETIMI I JETES!! Duke qenë se në këto orë, është bërë një abuzim shumë i rëndë lidhur me këtë çështje, ndjehem i detyruar t’ju bëj të njohur me situatën. Fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme, ashtu siç ishim edhe sqaruar me prindërit, të cilët kanë firmosur edhe konsensusin.

Përse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me difekt në zemër, për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni tek këta fëmijë sepse shkaktojnë infesione të rënda në zemër (endokardit psh). Në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve, të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance, në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve.

Procedura ka qenë e zakonshme, rutinë, sipas gjithë protokolleve internacionale dhe pa asnjë problematikë të veçantë. Në këtë Klinikë kemi trajtuar mbi 2000 fëmijë me anestezi gjenerale për problemet dentare, ku rreth 1200 kanë qenë fëmijë të grupmoshes 3-6 vjeç.

Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij, duke kërkuar të takonte vëllain më të vogël. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomandura nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë zgjuar. Me sa duket, gjendja është komplikuar, në ambientin e shtëpisë dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT nga prindërit. Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në Klinikë në orën 12 të natës.

Unë, sapo u informova, kontaktova urgjentisht me Kolegët në QSUT e me kërkesë të familjarëve të fëmijes, u drejtova në mëngjes, në Reanimacionin e Pediatrisë të QSUT, ku kam qëndruar në çdo moment duke asistuar kolegët e mi për të shpëtuar jetën e fëmijës.

◆ Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkëqesisht është rënduar, panarësisht përpjekjeve të pafundme.

Është shumë i gabuar mesazhi që po përcillet nëpër media, pasi rëndon shumëedhe gjendjen emocionale të familjarëve. Unë nga ana profesionale, kam bërë çdo gjeë të mundur edhe në QSUT së bashku me Kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës, ashtu siç kam bërë gjithmonë, edhe në kohën e COVID-it të egër. Cdo hipotezë keqedashëse, lidhur me gjendjen e fëmijës gjatë anestezisë dhe procedurës dentare është e PAJUSTIFIKUAR. Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do kenë më. Por ana ime profesionale, garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment.

Vdekja e 3-vjeçarit, disa ditë pas ndërhyrjes në dhëmbë në një klinikë private në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik.

Gjyshi i 3-vjeçarit tha se e çuan tek dentisti vetëm për të pastruar dhëmbët, por pas konsultës, mjeku dhe vajza e tij i sugjeruan operacion dhe prindërit e tij pranuan.

Nga ana tjetër babai i fëmijës 3 vjeçar, Bledar Spahiu ka deklaruar në polici se para tre ditësh ka çuar për mjekim djalin, në një klinikë dentare private në rrugën e Kavajës dhe mjeku Roland Xhaxho i ka bërë anestezi totale për të kryer ndërhyrjen për rregullimin e dhëmbëve.

Pasi ka përfunduar ndërhyrjen, mjeku dentist i ka kërkuar që djalin ta marrë nga klinika dhe ta çojë në banesë, duke i rekomanduar edhe mjekimin që duhet të merrte.

Pasi kanë shkuar në banesë fëmija ka filluar të ndihet keq. Prindërit e shqetësuar kanë marrë klinikën private në telefon por nuk i është përgjigjur njeri. Duke parë gjendjen e fëmijës që po përkeqësohej ata e kanë çuar në spitalin pediatrik, të cilët duke parë gjendjen jo të mirë të fëmijës e kanë dërguar në reanimacion. Me gjithë përpjekjet e mjekëve që ta kthejnë në jetë për dy ditë rresht fëmija ka ndërruar jetë në spital.

Prindërit thonë se djali ka rënë në gjendje kome pas anestezisë. Por priten rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore të autopsisë, për të vërtetuar shkakun e ndarjes nga jeta të fëmijës 3-vjeçar të familjes Spahiu.

 

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA