Shtëpitë me qira ditore janë një nga alternativat e preferuara të turistëve për t’u akomoduar, kur vizitojnë një vend të huaj.
Kjo formë është mjaft e përhapur edhe në Shqipëri, ku çdokush që zotëron një apartament apo edhe një vilë, mund ta reklamojë atë në platformat si Airbnb, Booking apo dhe në rrjetet sociale, për ta dhënë me qira.
Deri më tani, për këto individë nuk ka qenë i nevojshëm deklarimi, por përmes një projektligji të ri që qeveria ka hedhur për konsultim publik, kërkohet regjistrimi i biznesit.
Dorentina është një prej këtyre sipërmarrësve të rinj. Kanë kaluar dy vite që kur vendosi që dy apartamentet e saj t’i përdorë si mundësi biznesi, duke i kthyer në struktura akomoduese për turistët.
“Ne paguajmë 10% në të dyja platformat që ne operojmë, edhe në Booking dhe ne airbnb, paguajmë 10% të fitimit që marrim”, tha Dorentina Krraba.
Ndryshimet e reja Dorentina i sheh si pozitive pasi deklarimi i të ardhurave, do t’i japë mundësi asaj që të zgjerojë edhe më tej biznesin.
“Thash që jam pro sepse jam pro një ekonomie të formalizuar, jam pro që biznesi im të merret parasysh në momentin që unë kam nevojë të marr një kredi në bankë apo për ta zmadhuar si biznes. Në komentin qe biznesi im figuron si një biznes i padeklaruar unë automatikisht jam një person i papunësuar dhe në momentin që unë kam shkuar në bankë dhe kam treguar invoicet që unë paguaj në Booking dhe airbnb nuk më janë marrë parAsyh, pasi ajo është mardhënia që unë kam me kompanitë e tjera dhe sidomos banka shqiptare nuk i merr parasysh fare këto lloj të ardhurash apo deklarimesh”, tha Krraba.
Deri në muajin maj të këtij viti, rezulton se në Shqipëri ka rreth 14 mijë shtëpi të listuara në platformën AirBNB.
“Nga të huajt, italianët janë ata që dominojnë tregun ndërsa nga shqiptarët është bërë trend që pavarësisht se kanë një punë parësore, si punë dytësore japin apartamentet që mund t’i blejnë me kredi dhe i japin me airbnb ose me qira”, tha Krraba.
Në draft përcaktohet që subjektet të cilat nuk zbatojnë ligjin do të gjobiten me 20 deri në 50 mijë lekë për ata që kanë nga 1-5 dhoma. Deri në 15 dhoma kjo vlerë do të shkojë në 100 mijë lekë, mbi 16 dhoma me 200 mijë lekë e deri në 400 mijë lekë për më shumë.
Top Channel