Dea Guri, studente e vitit të gjashtë në degën e Mjekësisë e ftuar bashkë me një grup studentësh nga të gjitha vitet tha disa prej arsyeve që po protestojnë kundër rregullit të vendosur.
Dea Guri: Po protestojmë për të kërkuar një të drejtë që po na mohohet, në kushte absurde për të na marrë një gjë që ne e kishim, na morën të drejtën për t’u punësuar ku të duam, të drejtën e lëvizjes së lirë, të drejtën e diplomave, e të qenit të rinj, fëmijë dhe fëmijët e këtij kombi dhe nesër pasnesër mjekët e këtij kombi. Jemi fëmijët e atyre prindërve që duan t’i shohin ata fëmijë sa më lart dhe sa më mirë dhe ndoshta duke ndihmuar këtë vend që të ecë përpara.
Studentët e Mjekësisë kanë protestuar duke bojkotuar fillimin e vitit të ri shkollor deri në anulimin e ligjit, që i detyron ata të ofrojnë shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite pas përfundimit të studimeve, e më pas të pajisen me diplomë.
Ky është kusht i detyrueshëm për studentët që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë vitin e ri akademik, ndërsa për studentet e viteve të dyta deri në të gjashta detyrimi për të punuar është deri në 3 vite, ose mund të zgjedhin të paguajnë tarifën e studimit 13-14 herë më shumë nëse kundërshtojnë mbajtjen e diplomës pas përfundimit të shkollimit.
Kjo nismë e qeverisë për frenimin e ikjes së studentëve nga vendi i tyre, solli pakënaqësi nga studentët. Të dëshpëruar, ata kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protesta.
Top Channel