Mbreti norvegjez i shahut botëror Magnus Carlsen, që la pas rusin Garry Kasparov, dhe kryeson prej vitesh listën e FIDE-s, po ndeshet me një tjetër emër të madh të shahut, rusin Alexey Sarana.
Raundi i katërt i Kupës Europiane të klubeve 2023 ka vënë përballë këtë të mërkurë emra të mëdhenj të shahut botëror Carlsen, Rapport, Anand, Stefanova, Muzychuk A. Lëvizjen e parë të këtij raundi e bëri Presidenti i Nderit i Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi. Carlsen – Sarana; Mamedyarov – Rapport; Bassem – Anand dhe Keymer – Donchenko janë përballjet e këtij raundi.
Ndërkaq, edhe seksioni i femrave konsiderohet po kaq interesant me përballjet Stefanova – Khotenashvili; Muzychuk A. – Atalik dhe Ushenina – Van Foreest.
Në mbyllje të raundit III të Kupës Europiane të Klubeve 2023 që po zhvillohet në Durrës vetëm 9 skuadra, në seksionin e hapur dhe 2 skuadra në garën e femrave, dolën në krye, me 6 pikë të një loje perfekte.
“Superchess (Rumani), Novy Bor (Republika Çeke), Asnieres – Le Grand Echiquier (Francë), Offerspill Sjakklubb (Norvegji), Schachclub Viernheim 1934 e.V. (Gjermani), Klubi Sportiv i Turkish Airlines (Turqi), TAJFUN Sk Ljubljana (Slloveni), Sentimento Ajka BSK (Hungari) dhe C’ Chartres Echecs (Francë) ndajnë kryesimin e Kupës së 38-të Evropiane të shahut për klube dhe raundi i katërt pritet të ofrojë takime emocionuese mes skuadrave më të forta”- bën me dije FSHSH.
Garuda Ajka BSK (Hungari) dhe TAJFUN Sk Ljubljana (Slloveni) barazojnë për në krye të Kupës së 27-të të Klubeve për Femra, me 6 pikë ndeshje secila, ndërsa pasojnë Monte Carlo (Monako) dhe SP Gaz Ukraine, me nga 5 pikë.
Pas ceremonisë së hapjes, më 1 tetor ka nisur europiani i shahut për klube 2023 që ka sjellë në Durrës 110 ekipe dhe afro 900 persona, 600 prej të cilëve shahistë dhe pjesa tjetër trainerë dhe shoqërues të tyre.
Top Channel