Manchester United u befasua sërish në “Old Trafford”. Këtë radhë nga Galatasaray, me kampionët e Turqisë që arritën një fitore historike 2-3 në stadiumin mitik.
Kjo ishte humbja e gjashtë mes Premier dhe Champions League për skuadrën e Erik ten Hag. Disfata të regjistruar në nëntë ndeshje!
Kriza ka pllakosur United, ndërkohë që tifozët kanë shigjetuar Andre Onanan si një ndër fajtorët kryesorë të kësaj ecurie negative.
Kamerunasi është hija e vetvetes krahasuar me sezonin e fundit, gjatë së cilit shkëlqeu me Interin. Duke dhënë kontribut të madh në mbërritjen e zikaltërve në finalen e Champions League.
Aventura në “Old Trafford” ka nisur keq për “gardianin” afrikan. Roli i portierit është delikat. Aspekti mental ka rëndësi të madhe për një rol të tillë.
Onana ka humbur qetësinë dhe është “pushtuar” nga pasiguria. Edhe ndaj Galatasarayt nuk ndihmoi aspak skuadrën e tij.
Top Channel