Kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, Ambasada britanike: Do vijojmë t’i mbështesim në misionin e tyre jetik

04/10/2023 17:53

Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar pas kërcënimeve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në vendin tonë.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësimin, thekson se do të vijojë t’i mbështesë në misionin e tyre jetik hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët.

“Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësimin lidhur me kërcënimet kundër hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri. Të gjithë ata që punojnë në Sistemin e Drejtësisë duhet të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre, pa frikë apo favore. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë ata në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë”, shkruhet në postimin e ambasadës britanike.

Kujtojmë se Policia e Shtetit mori në ruajtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, pasi i penduari Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eliminimin e saj apo të një të afërmi.

Prokurorja e dosjeve të forta në SPAK, më e fundit ajo e masakrës së urës Vajgurore ishte vënë në shënjestrën e të fortëve të Lushnjës, mbasi kërkoi burgim të përjetshëm për dy miqtë e Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshin.

Burime shumë të sigurta i thanë TCH se nën ruajtje të posaçme është marrë dhe familja e prokurores Musabelliu, për të cilën mbrojtja iu kërkua policisë nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Deri më tani nga kjo struktura e posaçme kundër krimit të organizuar janë kanë marrë në ruajtje të posaçme, dy gra gjyqtare dhe prokurorja Musabelliu.

Pasi prokurorja speciale u mor nën ruajtje familjarisht, kryeprokurori i SPAK kërkoi rishikim të masave të sigurisë dhe mbrojtje më të shtuar të godinës nga Garda e Republikës.

Top Channel