SHBA-ja e dëgjoi kërkesën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për ndihmën e saj në hartimin e statusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në reagimin e parë të tij për çështjen që prej apelit publik të Osmanit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pohoi gatishmërinë e Uashingtonit për të ofruar asistencë, edhe pse siç tha, në fund kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Por nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, apo të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë dhe do të mirëpresim çdo propozim të saj mbi këtë temë, i cili do të i besueshëm dhe i arsyeshëm”, u shpreh Hovenier.
Disa ditë më parë, Osmani u shpreh se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas në 2015 mbi parimet për themelimin e tij, por atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli në përfundimin se ujdia nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, ndërsa Prishtina zyrtare vazhdon të pozicionohet kundër një asociacioni njëetnik.
Top Channel