Ministrja e Brendshme britanike, Suela Braverman ka paralajmëruar për një ‘stuhi’ emigrantësh drejt Britanisë, gjatë një fjalimi në Konferencën e Partisë Konservatore, fjalim që është cilësuar nga kundërshtarët si fjalim populist.
Ndërkohë vetëm gjatë tre ditëve të fundit kanë kaluar La Manshin rreth 1 mijë veta, mes tyre edhe shqiptarë, ndërkohë që në një raport të cituar nga media thuhet së tre çereku i atyre që vijnë me gomone do mund të marrin azilin ose do qëndrojnë në ishull, pasi nuk mund të dërgohen në vendet nga kanë ardhur.
Për ta bërë më të fortë deklarimin e saj për stuhinë e pritshme të emigrantëve drejt ishullit, Ministrja e Brendshme britanike, Suela Braverman, vetë fëmijë emigrantësh indian të Afrikës, tha se ”era e ndryshimit që solli prindërit e mi nga ana tjetër e globit shekullin e kaluar ishte thjeshtë një puhizë e krahasuar më stuhinë e pritshme”.
Kjo deklaratë e bërë në Konferencën e Partisë Konservatorë të qendrës së djathtë në pushtet prej 13 vjetësh, ndodh në ditët kur vetëm gjatë ditëve të kësaj Konference, 1000 emigrantë kanë shkuar në Britani me gomone nga Franca, së cilës Londra i ka paguar afro gjysmë miliardë stërlina që ta frenojë këtë fluks, dukshëm duke dështuar, fluks që më shumë shpjegohet me kohën e mirë në ngushticë sa herë rriten shifrat.
Mes të ardhurve ka edhe shqiptarë, edhe pse në numra shumë më të vegjël se vitin e kaluar. Më shumë se mbi 25 mijë emigrantë kanë ardhur deri më tani me gomone, krahasuar me 33 mijë në fillim të tetorit të vitit të kaluar.
Duke cituar një raport të Refugee Council, gazeta Evening Standard, shkruan së treçereku i atyre që kanë kaluar La Manshin me gomone këtë vit, do njihen si refugjatë, nëse u shqyrtohen aplikimet për azil dhe vetëm 3.5 për qind e të ardhurve, do mund të kthehen në vendet e tyre.
Aplikimet u aprovohen 100 për qind të ardhurve nga Eritrea, 99 për qind të sirianeve dhe 97 për qind afganëve. Analiza tregon se rënia me 20 për qind këtë vit shpjegohet me rënien e numrit të shqiptarëve, pas marrëveshjes mes Ramës dhe Sunak.
Kur shifra totale e të ardhurve me gomone ishte 19.500 gjatë këtij viti, 660 që deklaruan kombësinë ishin shqiptarë. Edhe pse Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt, sërish nëpër gjykatat britanike të emigracionit, shqiptarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të fitojnë rastet e kërkesave për azil, në bazë të meritës së aplikimit, sidomos për moshat nën 25 vjeç.
Top Channel