Zyrtari i Pentagonit që ekzekutonte qentë kur humbisnin në duelet ilegale, del në gjyq në SHBA (fotot)

03/10/2023 17:17

Një zyrtar i komunikimeve i Departamentit të Mbrojtjes në SHBA është arrestuar si organizator i një rrjeti të luftimeve të përgjakshme të qenve, që ekzekutonte me rrymë elektrike qentë humbës që kishte stërvitur vetë, shkruante rrjeti The Washington Post.

62 vjeçari Frederick Douglass Moorefield Jr., stërviste qentë e luftimit, merrte baste për ta dhe përdorte kabllo elektrike për të vrarë kafshët se nuk vdisnin në ringun e dyluftimit, sipas të dhënave gjyqësore të shpërndara nga gazeta.

Muajin që shkoi, në një bastisje të policisë në shtëpinë e tij dhe të bashkëpunëtorit Mario D. Flythe, FBI dhe agjenci të tjera të ligjit zbuluan të paktën dhjetë qen pit bull, injeksione veterinare steroidësh, jelekë, qafore e zinxhirë që përdoreshin për të shtuar forcën e kafshëve në luftimet vrasëse, si dhe një aparat për mbarsjen e qenve femra, shkruanin rrjetet Post e CBS News.

Prokurorët thonin se Moorefield, zv. shef informacioni në Pentagon, ashtu si dhe Flythe janë akuzuar për organizim të luftimeve ilegale të kafshëve.

Një zëdhënës i Pentagon tha se Moorefield nuk ishte më në vendin e tij të punës, pa dhënë më shumë detaje.

Në padi thuhej se të akuzuarit përdornin një aplikacion të inkriptuar komunikimi për sipërmarrjen e tyre ilegale.

Ata janë lituar me kusht në pritje të gjyqit.

FOTO GALERI
1/3
Frederick Douglass Moorefield zyrtar i komunikimeve i Departamentit të Mbrojtjes në SHBA është arrestuar si organizator i një rrjeti të luftimeve të përgjakshme të qenve

Top Channel