Ka disa muaj që çmimi i një prej produkteve më të njohura të eksportit të Greqisë djathi “Feta” është rritur për shkak të inflacionit me të paktën 40% duke u bërë një ushqim luksi për njerëzit në nevojë, por përmbytjet katastrofike të muajit të kaluar i kanë dhënë një goditje tepër të fuqishme edhe prodhimit të tij.
Fermerët e Thessalisë, të cilët prodhojnë rreth 40% të djathrave të buta në vend nga qumështi i dhisë dhe deles, janë tashmë të gjunjëzuar, pasi kalimi i dy stuhive në këtë rajon që është zona më e rëndësishme bujqësore dhe blegtorale e Greqisë ka sjellë rezultatin katastrofik të humbjes së mbi 80.000 kokë bagëtish të imta.
Shumë biznese të vogla e kanë tepër të vështirë të mirëmbajnë kafshët që mbijetuan si për shkak të ujit të ndotur, ashtu edhe për shkak të ushqimit të pakët. “Fermerët e rajonit thonë se pas përmbytjes dhe dëmeve që përllogariten në miliona euro , nuk duan të kthehen në profesionin e tyre”, ka deklaruar për Financial Times, Christos Apostolopoulos, president i Shoqatës së Industrisë Greke të Qumështit.
Greqia prodhon afërsisht 140 mijë tonë djathë “Feta” në vit, nga të cilat afërsisht 65% eksportohet dhe prodhuesit që së shpejti do të kenë më pak qumësht do të zgjedhin vetëm eksportin, me pasojë çmimi i djathit që do të shitet në vend të rritet edhe më shumë.
Vetëm kompania Hellenic Galaktokomeia në Trikala, fabrika më e madhe e “Fetës” në Greqi,u mbyll për dy javë pasi uji dhe balta mbuluan makinerinë dhe shkaktuan rreth 25 milionë euro dëme. Sipas BBC dy stuhitë që goditën zonën shkaktuan mbi 5 mld euro dëme, ndërsa ndihma që BE ka vendosur për Greqinë nga fondet emergjente shkon deri në 2.25 mld euro.
Rreth një e katërta e tokës së përdorur për bujqësi dhe prodhim industrial në Thesali u përmbyt dhe ka të ngjarë të mos jetë pjellore për vitet në vijim, ndërsa u shkatërruan qindra ndërtesa, shumë ura dhe pjesë të rrjetit hekurudhor dhe rrugor të vendit. Në të njëjtën kohë, analistët paralajmërojnë për efektet afatgjata të motit të keq në ekonomi.
Top Channel