Një çift që kishte vendosur ta zhvillonte ceremoninë e martesës në Itali me 80 të ftuar është larguar nga restoranti që i kishte organizuar banketin pa paguar faturën prej 8800 eurosh.
Dhe siç thotë ajo fjala e urtë shqipe “ mos i bëj tjetrit atë që nuk do që të tjerët të ta bëjnë ty” në fakt këtë herë ikja e klientëve pa paguar faturën ndodhi në një restorant italian.
Nusja një 25 vjeçare dhe dhëndri, 40 vjeç biznesmen në fushën e ndërtimit vendosën që të celebronin dashurinë e tyre në Frosinone, në juglindje të Romës.
Restoranti kishte organizuar një banket për 80 të ftuar por kur pronari Enzo Fabrizi shkoi për t’i dërguar faturën e shpenzimeve kuptoi që çifti jo vetëm që ishte larguar nga qyteti por ishte arratisur nga vendi bashkë me familjarët e ngushtë.
Pronari ka bërë denoncimin në polici e cila është vënë në ndjekje të çiftit që e nis jetën bashkëshortore me një borxh prej 8000 eurosh dhe një akuzë për mashtrim.
Dasma u mbajt më 24 shtator dhe sipas mediave italiane gjithçka ishte organizuar disa muaj përpara ditës së dasmës. Nusja dhe dhëndri, së bashku me prindërit e dhëndrit, kishin vizituar restorantin “La Rotonda” shtatë muaj para ditës së madhe, duke shijuar menytë e ndryshme që ofroheshin.
Ata kishin paguar paradhënie 3,300 euro dhe ranë dakord të paguanin faturën përfundimtare e cila arriti në 8,800 euro pas dasmës.
“Fillimisht gjithçka shkoi sipas planit; çifti shkëmbeu betimet e lumtura para miqve dhe familjes së tyre në një ceremoni civile, të drejtuar nga një prift i ardhur nga Gjermania”, tha pronari.
Të 80 të ftuarit shijuan menynë e peshkut dhe pijet, duke mos i lënë stafit të restorantit asnjë arsye për të besuar se nuk do të paguhej për shërbimin e ofruar.
Mirëpo, mediat italiane raportojnë se dhëndri nuk ka paguar të nesërmen e dasmës siç kishte rënë dakord me pronarin dhe kur erdhi afati zyrtar të porsamartuarit nuk u panë askund.
Pronari, Enzo Fabrizi, priti që dhëndri të shfaqej në lokal deri në orët e vona të mbrëmjes, madje u përpoq ta telefononte por nuk mori përgjigje.
Ai madje mundi të gjurmonte edhe prindërit e dhëndrit, të cilët kishin qenë në seancën e degustimit në fillim të vitit, por nuk kishte asnjë përgjigje as prej tyre.
Kjo e shtyu atë të kontaktonte policinë lokale, e cila mundi të gjurmonte lëvizjet e çiftit pas dasmës. Sipas policisë çifti kishte udhëtuar me makinë për në Romë dhe kishte fluturuar në Frankfurt, Gjermani menjëherë pas festës.
“Kjo nuk më ka ndodhur kurrë në shumë vite biznes, më së shumti dikush ka paguar më vonë, por kurrë që bashkëshortët të zhdukeshin pa paguar faturën e banketit të dasmës”, i tha pronari Enzo Fabrizi gazetës Corriere Della Sera .
Ai u tha gazetarëve se me dhëndrin e kishte prezantuar një mik që e njihte prej 20 vitesh, i cili i kishte dhënë siguri. “Kam besuar sepse miku im e ka mbajtur gjithmonë fjalën. Më qetësoi duke thënë se babai i nuses punon në një bankë në Gjermani. Me pak fjalë, është një familje e pasur.”
Pronari i restorantit i tha Corriere Della Sera se ai është i vendosur të rikuperojë paratë që i detyrohen për banketin bujar.
“Nuk do t’i jap paqe derisa të ketë paguar çdo qindarkë. Kam 40 vjet që punoj dhe nuk më ka ndodhur kurrë një fatkeqësi si kjo. Avokati im do të kujdeset për çështjen dhe shpresoj që sapo të shkelë sërish në Itali, t’i hiqet menjëherë pasaporta. Dhe të mendosh se më tha se do të kishte bakshishe edhe për kamarierët”, tha ai.
Top Channel